Sport

U diagnostikua me kancer, solidaritet i plotë për Liam Miller

Miq dhe kolegë të ish-mesfushorit të Celtic, Liam Miller, janë të gjithë përkrah tij në një moment të vështirë për 36- vjeçarin, i cili është duke luftuar me sëmundjen e kancerit.

Miller e nisi karrierën e tij futbollistike në Parkhead, para se të transferohej te Manchester United. Ish-lojtari i Kombëtares Irlandeze, i cili u lind në qytetin e Cork, në karrierën e tij ka mbajtur veshur edhe fanellën e Sunderland, Leeds dhe Hibernian, për t’u transferuar më pas edhe në Australi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

U rikthye në vendlindjen e tij vetëm dy vite më parë bashkë me familjen, bashkëshorten dhe tre fëmijët, pas impenjimit me amerikanët e Wilmington Hammerheads. 36-vjecari është diagnostikuar me kancer në pankreas dhe ka nisur seancat e kimioterapisë.

Kanë qenë të panumërta mesazhet e miqve dhe kolegëve të tij, të cilët e kanë shpërndarë lajmin për gjendjen e Miller edhe në rrjetet sociale, duke shprehur të gjithë mbështetjen e tyre për të dhe duke u shfaqur besimplotë se ai do ta fitojë këtë luftë të vështirë me sëmundjen, shkruan supersport.al.

Komentoni