Sport

Trepça’89 e mundi Lirinë, ngjitet në krye të renditjes

Trepça’89 ka shënuar fitoren e pestë në këtë edicion në Vala Superligë, duke u ngjitur në pozitë e parë në renditje.

Skuadra e drejtuar nga Veton Çitaku, sot, në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, e ka mposhtur Lirinë, me rezultat 2:0, në kuadër të javës së 6-të. Të dy golat skuadra mitrovicase i shënoi në pjesën e parë. Fillimisht në minutën e 23-të, Shpëtim Idrizi shënoi nga brendësia e zonës pas asistimit të Florent Hasani, derisa epërsinë në 2:0 e shtoi John John, në minutën e 44-t pas asistimit të Shpëtim Idrizit.

Në pjesën e dytë Liria tregoi lojë më të mirë se sa në 45 minutat e parë, por nuk arriti t’i ndryshojë shifrat e kësaj ndeshjeje, ndonëse që nga minuta e 61-të vendasit kishin një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Ylber Malokut, pas dy kartonëve të verdhë. Madje, Liria pati një mundësi të artë për të shënuar në minutën e 81-të, por Liridon Fetahaj nuk realizoi nga penalltia, duke gjuajtur mbi portë. /KI/

Komentoni