Lajme

Tiranë: Rezoluta 1325 mbledh gazetarët dhe aktorët e medias

Është zhvilluar para pak ditësh në Tiranë një work-shop me gazetarë dhe aktorë te medias me temë “Rezoluta 1325, të Drejtat e Grave nga Koncepti në Realitetin Shqiptar” organizuar nga Shoqata e Grave me Probleme Sociale (SHGPS) në bashkëpunim me organizatën suedeze Operation 1325.

Falën e hapjes për gazetarët e pranishëm e mbajti Drejtorja Ekzekutive e SHGPS, Bajana Ceveli e cila ndërmjet të tjerash citoi një thënie të Nënë Terezës:

“Çfarë mund të bësh që të promovosh paqen në të gjithë botën? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde.” Kjo thënie më ka bërë më shumë përshtypje prandaj edhe jua thashë. Neve na nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë me median sepse së bashku me juve ne mund të ndihmojmë për të siguruar paqen në Shqipëri dhe sigurimin e jetës së gruas e cila sot rrezikohet nga momenti në moment.”

Për përmbajtjen dhe shtyllat kryesore të Rezolutës 1325 të OKB ka folur ekspertja suedeze e Operation 1325, Annika Schabbauer e cila vjen nga një përvojë e gjerë nga shërbimet e punës që ka kryer për këtë temë me organizatën e saj në Palestinë , Liban dhe Irak.

“Ne kemi modele për luftën por jo për paqen” citoi Annika Schabbauer një thënie të aktivistes Alva Myrdal teksa shpjegonte domosdoshmërinë e njohjes në Shqipëri konkretisht të Rezolutës 1325 si dhe të zbatimit të saj rigoroz në legjislacionin shqiptar, megjithëse kjo rezolutë është hartuar qysh në tetor te vitin 2000 nga OKB.

Kurse në fjalën e saj gazetarja Rudina Xhunga, e ftuar në rolin e lektores ndërmjet të tjerash nënvizoi:

“Vendi ynë është shteti me numrin më të lartë të popullsisë fshatare në Europë, rreth 50 për qind, ndërkohë që në vendet e zhvilluara popullsia rurale zë një përqindje shumë të vogël… Por tek ne problematika është në faktin se kjo përqindje e madhe shtrihet në mentalitet. Në fshatra gratë dhe fëmijë t merren me punët më të rëndomta duke filluar me mbushjen e ujit, mbajtjen e bagëtive etj….Ju si OJF dhe ne si media duhet të bëjmë presion pozitiv mbi qeverinë në mënyrë që të fillojë urbanizimi I këtyre qendrave, shtrimi i rrugëve dhe sjelljen e ujit në shtëpi.”

Work-shopi është mbyllur me referimin e ekspertes pranë ShGPS, Valdet Qyrfyci, e cila mbajti referatin me temë “Si të bësh ndryshimin si një aktor i Medias”.

“Në Shqipëri përbën domosdoshmëri përafrimi i legjislacionit me qëllim përafrimin e tij me stanarët që kërkon BE-ja. Po kështu edhe zbatimi i legjislacionit lë për të dëshiruar. Ministria e Mbrojtjes ka bërë punë pozitive në zbatimin e Rezolutës 1325 por nuk kemi shumë gra në karrierë në Ministrinë e Mbrojtjes. Në polici kemi pjesëmarrje më të madhe të vajzave dhe grave vitet e fundit por sidoqoftë, ushtria dhe policia në nënkuptojnë ende profesione burrërore në Shqipëri”, u shpreh ndërmjet të tjerash ekspertja Qyrfyci.

E veçanta e këtij eventi ishte se nuk kishte metodikën e njohur pyetje dhe përgjigje në fund të fjalës së ekspertëve dhe lektoreve por përkundrazi, këta te fundit preferuan bashkëbisedimin me gazetarët e pranishëm, një pjesë e të cilëve kishin eksperiencë në trajtimin në kronikat dhe artikujt e tyre për të drejtat e grave dhe të dhunës në familje në përgjithësi.

Ky projekt është një iniciativë e Shoqatës së Grave me Probleme Sociale (SHGPS) dhe organizatës suedeze “Operation 1325”, e cila synon të sigurojë që të drejtat e grave, veçanërisht ato në fushën e paqes dhe sigurisë në Shqipëri të mbrohen nga zbatimi i legjislacionit vendas dhe të huaj. Qëllimi i këtij projekti që shtrihet në disa qarqe të vendit është që të rritë angazhimin e politikëbërësve, të forcojë rolin advokues të shoqërisë civile, e të ndërgjegjësojë opinionin publik nëpërmjet medias, për të përshpejtuar zbatimin e Rezolutës 1325 përmes përmirësimit të proceseve, planeve të veprimit dhe mekanizmave monitorues.

Arben LAGRETA

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*