Lajme

Thaçi te memorialët serbë për Specialen

Analisti Belul Beqaj mendon që Thaçi po viziton memorialët e serbëve të vrarë si kusht për të mos u ndjekur nga Gjykata Speciale.

Presidenti i Republikës Hashim Thaçi befasoi shumëkë kur para rreth 1 muaji bëri homazhe para monumentit serb në fshatin Grackë të Lipjanit që ishte ndërtuar në kujtim të 14 fshatarëve të këtij nacionaliteti të vrarë në vitin 1999.

Mirëpo edhe pse disa e vlerësonin aktin e tij human nuk mund ta merrnin si të mirëqenë faktin që në ato monument shkruhej që këto janë viktima të terrorit shqiptar, ani pse ende nuk ka ndonjë vendim nga organet e drejtësisë.

Mirëpo kjo nuk e ndali të parin e shtetit, ish-udhëheqësin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin që ta bëjë edhe një vizitë të dytë në një memorial serb.

Më 13 gusht Presidenti Thaçi qëndroi në Gorazhdevc të Pejës ku edhe aty vizitoi memorialin për dy të rinj serbë që ishin vrarë në vitin 2003. Edhe në këtë memorial vrasja iu atribuohet “terroristëve shqiptarë”, edhe ende autorët e këtij krimi nuk janë gjetur dhe dënuar nga gjykatat.

Analisti Imer Mushkolaj përuljen e Presidentit Thaçi para këtyre dy memorialëve e vlerëson gjest fisnik por të gabuar.

“Përulja para viktimave pa marrë parasysh cilit nacionalitet i takojnë, është gjest fisnik nga kushdo që bëhet. Por, në rastin e Presidentit Thaçi kemi të bëjmë me përuljen para lapidarëve në të cilët shkruan se viktimat janë vrarë nga terroristë shqiptarë. Në këtë mënyrë, Thaçi po ua mvesh përgjegjësinë e krimeve shqiptarëve, edhe pse autorët ende nuk janë gjetur e dënuar”, tha për KALLXO.com Mushkolaj.

Belul Beqaj, analisti tjetër që foli për KALLXO.com transformimin e Thaçit nga një drejtues politik të guerilëve të UÇK-së në vizitues të memorialëve të serbëve të vrarë pas luftës, e vlerëson pozitivisht.

“Si çdokush tjetër, edhe Presidenti Thaçi është mirë të transformohet varësisht nga rrethanat dhe njohuritë e reja për shkak se vetëm ndryshimi, është i përhershëm”, tha Beqaj.

Por ai mendon se Thaçi vizitat i bëri kundër dëshirës së tij dhe ndoshta si kusht për t’i ikur ndjekjes së mundshme penale nga Gjykata Speciale, që do ndjekë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së gjatë e pas luftës.

“Presidenti Thaçi këto veprime po i bën kundër mendjes së tij , ndonëse në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve dhe përmirësimin e imazhit të degraduar që e ka në popull, veçmas para serbëve. Pra, Thaçi nuk i ka ndryshuar bindjet, por ka kuptuar se kështu mund të mbështetet nga ndërkombëtarët për të mbetur në pushtet, ose ndoshta është kusht për të mos qenë objekt i trajtimit të Gjykatës Speciale Ndërkombëtare”, tha Beqaj për KALLXO.com.

Në anën tjetër Beqaj nuk pret që Presidenti Thaçi të jetë ai që do ta bëjë pajtimin e mirëfilltë me serbët, pasi sipas tij Thaçi ka ambicie për t’i përçarë shqiptarët.

Ndërsa për Mushkolajn këto akte të Thaçit po bëhen për poenë politikë, sepse ai duke qenë në pushtet është dashur të zbulojë autorët e krimeve të tilla ndaj serbëve.

“Me këto veprime Thaçi po e paragjykon krimin. Sigurisht, vizitat e tilla ai po i bën me qëllim të përfitimit të poenëve politikë. Por, ai është i pasinqertë në këto raste, pavarësisht se po provon të shitet si president unifikues. Gjatë gjithë viteve në pushtet, Thaçi është dashur të angazhohet që përgjegjësit për këto dhe krime të tjera të dalin para drejtësisë, e jo që tash me veprimet e tij t’i fyejë dhe t’i akuzojë shqiptarët për vrasje e terrorizëm”, tha Mushkolaj.

E se këto veprime të Thaçit nuk janë të sinqerta e ka thënë edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq kur ka folur për Pink TV.

“Në të vërtetë unë nuk shoh sinqeritet në këtë veprim, përndryshe gjithmonë do të jem i gatshëm ta përshëndes çdo hap të vërtetë drejt pajtimit, i cili na është shumë i nevojshëm,” deklaroi Gjuriq të enjten.

Deri më tani asnjë zyrtar serb nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra gjatë kohës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë.

Vitin e kaluar Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq doli me propozimin që të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë të kenë një ditë të përbashkët përkujtimore për të gjitha viktimat nga luftërat e viteve ’90.

Mirëpo atëherë një propozim i tillë ishte refuzuar kategorikisht nga ish-ministri i Jashtëm, tani Presidenti Hashim Thaçi, por edhe nga kroatët dhe boshnjakët.

“Ne nuk mund të barazojmë të gjithë ata që inskenuan, organizuan dhe kryen gjenocide me ata që po mbronin shtëpitë e tyre. Nuk është njerëzore dhe nuk i shërben pajtimit”, kishte deklaruar Thaçi në atë kohë.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*