Lajme

Thaçi: Investimet në bujqësi po i sjellin rezultatet e pritshme

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në manifestimin tradicional “Dita e mollës” në Kovragë, ku në mënyrë simbolike nisi vjelja e mollëve. 

Presidenti Thaçi ka thënë se sa herë që shkon në kohën e vjeljeve në Kovragë, ajo gjithnjë e më shumë duket e kuqe për shkak të mollëve të shumta. 

“Kovragën të kuqe e keni bërë ju, me punën tuaj, duke kultivuar molla. Dhe po më duket gjithnjë e më e kuqe, sepse çdoherë e më shumë i keni shtuar sipërfaqet e mbjella”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se pemëtarët e Kovragës nga rreth 20 hektarë mollë sa i kanë pasur në vitin 2000, sivjet i kanë bërë mbi 100 hektarë.

“Institucionet e vendit, me rritjen e buxhetit për sektorin e bujqësisë u janë bërë krah pune dhe ju këtu, bashkë me shumë fermerë të tjerë, me punë, me angazhim dhe me përkujdesje keni arritur të bëni mrekulli. Gjithmonë kam besuar se investimet në sektorin e bujqësisë do t’i sjellin rezultatet e duhura dhe sa herë që vizitoj fermerët, ky besim vetëm sa më përforcohet edhe më shumë”, ka thënë presidenti Thaçi. 

Nga viti 2009 e deri në vitin 2014, sipas presidentit Thaçi, vetëm përmes granteve investive në Kovragë janë investuar rreth 1 milion euro, përfshirë këtu edhe participimin e vetë përfituesve. 

“Rezultati është i dukshëm: Ju tash prodhoni 2 milionë kilogramë mollë në vit!”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se tash me mollët e Kovragës identifikohet komuna e Istogut, por edhe pemëtaria në Kosovë.

Në manifestimin tradicional “Dita e mollës” mori pjesë edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Kurtan Kajtazi, kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi dhe Besim Beqaj. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*