Kosova

Thaçi shpreh ngushëllime për vdekjen e Shimon Perez

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së ish-presidentit të Izraelit, Shimon Perez.

Presidenti Thaçi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook është shprehur se Peres ka qenë një nga protagonistët kryesorë të përpjekjeve për paqe në Lindjen e Afërt dhe në botë duke e cilësuar se mik të Kosovës.

Presidenti ka thënë se humbja e Peres është një humbje e madhe për Izraelin, botën dhe Kosovën.

“Për Izraelin, Shimon Peres do të mbetet burrështetasi që gjysmë shekulli e kaloi në shërbim të vendit. Për botën ai do të mbetet një nga arkitektët kryesorë të Marrëveshjes së Oslos për Paqe dhe lideri që ka forcuar lidhjet e shtetit të tij me vendet e botës demokratike”.

“Për Kosovën, ai do të mbetet një mik që e ka përkrahur vendin tonë në ditët më të vështira dhe që e ka promovuar të drejtën e popullit tonë për liri dhe barazi. Këtë na e ka thënë kur na ka pritur në Jerusalem, por ia ka thënë hapur edhe tërë botës. Do ta respektojmë dhe do ta vlerësojmë kujtimin për të si një mik i përjetshëm i Kosovës dhe i popullit të saj”.

Komentoni