Kosova

Thaçi: Miku ynë nga Kanadaja do të qëndrojë përkrahë Kosovës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka përmbyll vizitën në Kanada me takimin e Guvernatorit të Përgjithshëm David Johnston, ku kanë diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Kanadasë.

Thaçi gjatë këtij takimi e ka ftuar Guvernatorin Johnston, për të vizituar Kosovën.

“Vizitën në Kanada e përmbylla me takimin me homologun kanadez, Guvernatorin e Përgjithshëm, Shkëlqesinë e Tij, z. David Johnston. Diskutuam gjerë e gjatë për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Kanadasë, për mundësitë e përbashkëta të rritjes së bashkëpunimit në fushat strategjike të ekonomisë, si energjia, minierat, kërkimi i arit dhe bujqësia.

Guvernatorin Johnston e njoftova për interesimin konkret të kompanive kanadeze për të investuar në Kosovë dhe për nevojën për të shtyrë përpara një agjendë dinamike bashkëpunimi ekonomiko-tregtare.

Shkëlqesinë e Tij e falënderova për mikpritjen kanadeze në ditët më të vështira dhe për përkrahjen e parezervë të qeverisë dhe popullit kanadez për të mbështetur Kosovën në vizionin e saj për të qenë anëtare e barabartë e komunitetit ndërkombëtar të shteteve.

Guvernatorin Johnston e ftova për të vizituar Kosovën dhe për të parë nga afër të arriturat e vendit tonë, si dhe për t’i dhënë shtytje projekteve tona të përbashkëta dhe thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Kosovës dhe Kanadasë.

Takimin e përfunduam me përshtypjet më të mira për vlerat e përbashkëta që ndajmë dhe u sigurova nga miku ynë se Kanadaja do të vazhdojë të qëndrojë përkrahë Kosovës në rrugëtimin vizionar drejt integrimeve euroatlantike”, ka shkruar Presidenti THaçi në rrjetin social Facebook.

Komentoni