Lajme

Thaçi falënderoi PD-në për mbështetjen që kanë dhënë dhe po jep për Kosovën

Në kuadër të vizitës shtetërore në Shqipëri, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një takim edhe me liderin e opozitës, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. 

Presidenti Thaçi e ka falënderuar kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për mbështetjen që kanë dhënë për Kosovën, si në qeverisje, ashtu edhe tani si opozitë. 

“Jam i gëzuar që sa herë flitet për Kosovën në Kuvendin e Shqipërisë, të gjitha palët bashkohen dhe i lënë anash dallimet apo interesat partiake”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili kryetarin e Partisë Demokratike e njoftoi edhe për zhvillimet politike dhe për sfidat e Kosovës në kuadër të proceseve integruese euroatlantike. 

Presidenti Thaçi dhe lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë biseduar edhe për demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, tema këto që kanë mbizotëruar në debatin politik në Kosovë vitin e fundit. 

Gjithashtu, edhe lideri i opozitës në Shqipëri e informoi Presidentin e Kosovës për çështjet kryesore të politikës së brendshme në vend dhe për shqetësimet kryesore që prekin opozitën.  

Gjatë takimit, presidenti Thaçi dhe kryetari Basha diskutuan edhe për nivelin aktual të bashkëpunimit mes dy shteteve, duke vendosur theksin tek mundësitë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi. 

Kryetari Basha konfirmoi se Partia Demokratike do të bëjë sa të jetë e mundur brenda hapësirës së saj për të ndihmuar shtetndërtimin e Kosovës, rritjen e numrit të njohjeve dhe, veçanërisht, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.  

“Mbështesin të gjitha veprimet që përshpejtojnë proceset e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, ka konfirmuar Basha. 

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nesër do ta vizitojë edhe Bashkinë e Tiranës. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*