Lajme

Thaçi dekoroi gjeneralin Jackson me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim komandantin e parë të KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Sir Michael David Jackson, të cilin e ka dekoruar me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë. 

Gjeneralit Sir Jackson kjo medalje i është ndarë për kontributin e tij në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë gjatë mandatit të tij si komandant i KFOR-it në Kosovë. 

“Roli i gjeneralit Sir Jackson ka qenë i pazëvendësueshëm, i jashtëzakonshëm, historik për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin në Kosovë dhe në rajon”, ka thënë presidenti Thaçi.
“Kemi punuar në kohë sfidash bashkërisht, në procesin e kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre, në tranzicionin demokratik që e kemi kaluar, në përkushtimet e përbashkëta në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, gjenerali Sir Michael David Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë është shprehur mirënjohës për dekoratën dhe mikpritjen që i është bërë në Kosovë.

“U ktheva në Kosovë shtatëmbëdhjetë vite që kur kisha ardhur këtu për herë të parë, kur, më duhet të them, kisha ardhur pa pasaportë. Është e mrekullueshme për të parë se sa shumë progres keni arritur që nga ajo kohë”, ka thënë gjenerali Sir Michael David Jackson.

Gjithashtu, gjenerali Sir Jackson ka kujtuar edhe ditët e rënda të pasluftës së vitit 1999. 

“Edhe pse ato ditë të rënda shënuan fillimin e këtij progresi, atëbotë kishte një atmosferë dhe gjendje shumë të rëndë, kurse sot gjërat kanë ndryshuar shumë”, ka shtuar ai. 

Presidenti Thaçi ka thënë se populli i Kosovës dhe mbarë bota e dinë se gjenerali Jackson është një nga njerëzit që ka jetësuar Marrëveshjen e Kumanovës për futjen e trupave të NATO-s në Kosovë. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*