Uncategorized @sq

Thaçi: Bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri udhëhiqet nga qasja vëllazërore

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Shqipëri me takimin e përbashkët me homologun e tij, Bujar Nishani. 

Pas përfundimit të takimit dypalësh, në konferencën e përbashkët për medie, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë marrëdhënie te shkëlqyera dypalëshe, duke mos pasur asnjë çështje diskutabile mes tyre. 

“Marrëdhëniet mes dy shteteve janë të shkëlqyera dhe tashmë kanë fituar edhe dimension të partneritetit të pandashëm strategjik, i cili i ka hapur rrugë institucionalizimit të marrëdhënieve tona në çdo fushë. Jemi model për rajonin në rrafshin e bashkëpunimit dhe kemi përparim në të gjithë sektorët”, ka thënë presidenti Thaçi. 

Kreu i vendit theksoi se edhe marrëdhëniet ekonomike në mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë shënuar një rritje dhe, sipas tij, në këtë rritje ka ndikuar investimi i dyanshëm në infrastrukturën rrugore. 

Presidenti Thaçi ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria bashkëpunojnë shkëlqyeshëm edhe në skenën ndërkombëtare. 

“Shqipëria ka kërkuar gjithnjë pjesëmarrje të barabartë të Kosovës në të gjitha nismat rajonale e ndërkombëtare, kurse Kosova ka mbështetur fuqimisht vendosjen e selive në Tiranë të Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor, që nënkupton forcim të rolit të Shqipërisë në rajon”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, që është një urë mes shteteve të rajonit dhe Bashkimit Evropian. 

Ndërkaq, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka thënë se Kosova është konsoliduar si shtet dhe po vazhdon me sukses reformat në ekonomi, në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të qeverisjes së mirë. 

“Pas hyrjes në fuqi të MSA-së, si marrëveshje e parë kontraktuale e Kosovës me BE-në, shpresojmë që shpejt të ndodhë edhe përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave nga ana e Komisionit Evropian, sepse nuk ka alternativë tjetër përpos eurointegrimit të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë presidenti Nishani. 

Ai ka shtuar se Shqipëria gjithmonë do të jetë avokuese e Kosovës në forume ndërkombëtare. 

“Do të jemi gjithmonë përkrahës të aspiratës së Kosovës për anëtarësim në organizata dhe forume ndërkombëtare”, tha presidenti Nishani. 

Presidenti Thaçi dhe homologu i tij shqiptar, Bujar Nishani, kanë theksuar edhe nevojën e rritjes së bashkëpunimit në rrafshin akademik. 

Ata kanë thënë se duhet të shfrytëzohen mundësitë e mëdha që ekzistojnë dhe të rritet bashkëpunimi edhe në mes të universiteteve të të dyja shteteve. 

Gjithashtu, presidenti Thaçi ka thënë se më shumë projekte të përbashkëta duhet të bëjnë edhe dy akademitë përkatëse, projekte këto që kanë interes edhe për publikun ndërkombëtar dhe që i shërbejnë interesave të të dy vendeve. 

Në vizitën e tij zyrtare në Shqipëri, presidenti Thaçi po shoqërohet edhe nga Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, si dhe ai i Bujqësisë, Memli Krasniqi. /KI/

Komentoni