Lajme

Të mirat e pakos fiskale 2.0

Pako fiskale 2.0 që ka kaluar të hënën në Qeverinë e Kosovës do t’i sjellë të mira tregtisë dhe biznesit kosovar dhe ka qenë diçka që është dashur të bëhet shumë më herët, ka thënë në Ora e Fundit në Klan Kosova, Arian Zeka, kryetar i Odes Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).

“Pako fiskale 2.0 që është miratuar nga qeveria ka qenë një obligim i kamotshëm, reflektim edhe i kërkesave të Odës amerikane dhe asociacioneve të tjera të biznesit, për të sjellë pozitën konkurruese të biznesit të Kosovë me rajonin”, ka thënë Zeka.

“Pra është një vendim i mirëpritur, por është dashur të bëhet shumë më herët. Ajo që është për t’u mirëpritur në këtë pako fiskale janë lirimet tatimore për bizneset e reja, prej tri deri në shtatë vjet, varësisht nga shuma që investohet dhe numri i të punësuarve”, tha ai.

Zeka ka treguar se mbase fillimisht efekti do të jetë negativ për shkak të mbledhjes më të vogël të të ardhurave nga shteti, por në afat më të gjatë do të vërehen të mirat nga kjo pako, pasi shtohet intensiteti ekonomik.

“Një pako e tillë do të ketë implikime buxhetore, por afatshkurta, që pastaj në periudha afatmesme dhe afatgjata do të vjelim të mirat e kësaj pako, pasi do të ketë intensitet të shtuar ekonomik”, ka theksuar Zeka.

Kryetari i OEAK-së ka komentuar shkurt edhe polemikat e ditës së sotme se kjo pako u nxitua të bëhet në këto kohet e fundit sa është ende qeveria në largim, për shkak të përfitimeve të caktuara të njerëzve në nivel të larta të qeverisë.

“Flitej që dikush brenda kabinetit qeveritar ta ketë marrë këtë vendim për interesa të caktuara dhe nuk mund të përjashtohet kjo duke ditur se si merren vendimet në Kosovë. Por, ajo që është më e rëndësishme është se do të ketë benefite të gjëra për gjithë biznesin tonë”, ka përfunduar Zeka.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*