Kosova

Të mërkurën seanca për konstituimin e Kuvendit

Që nga publikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nacionale në vend të mbajtura me 11 qershor ende nuk është caktuar data e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe Presidenti i Kosovës ka një afat kohor prej një muaj deri në thirrjen e një seance në Parlament.

E është pikërisht Presidenti i vendit i cili të enjten që shkoi është takuar me liderin e AAK-së, njëherësh kandidatin e koalicionit PAN, për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj për të biseduar lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur që seanca për konstituimin e Kuvendit do të mbahet të mërkurën.

Është pikërisht data 19 korrik kur do të mbahet kjo seancë vetëm se ende nuk është caktuar ora. Pra në diskutim e sipër ka mbetur vetëm caktimi i orarit të saktë të mbajtjes së kësaj seance.

Ndryshe në rast të mos thirrjes së seancës nga presidenti i vendit, thirrja për seancën konstituive do të bartej tek Kuvendi i Kosovës.

Nga zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit koalicionit PAN doli fitues me mbi 33 përqind të votave.

E janë pikërisht koalicioni PAN ata të cilët janë shprehur të bindur se tashmë kanë siguruar votat e nevojshme në mënyrë që të fillojë edhe ndërtimi i institucioneve të vendit nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt, si kryeministër i Kosovës.

Komentoni