Kosova

Të martën delegacioni i Kosovës me përbërje të re në Bruksel për dialog për tri tema

Të martën do të vazhdojë dialogu teknik I delegacionit të Prishtinës që do ta udhëheq Avni Arifi dhe Beogradit që do udhëheq Marko Gjuriqi. Në delegacionin e Kosovës do të jenë këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Ardian Arifaj dhe Blerand Stavilec, raporton Kosova.info.

Për sa i përket temave që do të diskutohen, Arifi tha se ende janë në diskutime.

“Jemi ende duke biseduar. Nuk e kemi definu saktësisht mirëpo nga BE-ja do të lëshohet një komunikatë”, tha ai.

Por nga ana tjetër temat që do të diskutohen janë caktuar. Maja Kocijanic, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE, tha se dy delegacionet kanë konfirmuar pjesëmarrjen në dialog që do të zhvillohet nga 16 deri 18 janar në Bruksel.

Gjatë tri ditëve janë paraparë në rend dite të jenë zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani, Asociacioni i komunave serbe, lëvizja e lirë dhe gjyqësia. BE pret nga të dy palët që në mënyrë konstruktive të angazhohen në bisedime dhe të kenë qasje të orientuar nga rezultati”, ka thënë Kocijanic.

“Zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut është obligim që të dy palët kanë ndërmarrë në raport me BE dhe përcaktojnë shpejtësinë e progresit në rrugën evropiane”, tha ajo.

Ekipet teknike janë duke përgatitur bazën për marrëveshje në nivelin më të lartë. Delegacionin më të lartë do ta udhëheq presidenti Hashim Thaçi. Por takim të ri në mes dy presidentëve atij të Kosovës dhe Serbisë ende nuk është caktuar.

Herën e fundit Thaçi është takuar me Aleksandër Vucic më 31 gusht në zyrën e Përfaqësueses së lartë për Politik të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini duke u përgatitur për fillimin e fazës së re të dialogut. /Kosova.info/

Komentoni