Bota

Të gjithë kundër Trump

Është hera e parë që në historinë e zgjedhjeve amerikane, gazetat kryesore dhe mediat vendase mbajnë qëndrim në zgjedhjet presidenciale.

Në 34 vite të krijimit të saj, bordi editorial i “USA Today” ka bërë publik një shkrim të gjatë, ku listohen të gjitha arsyet që – sipas stafit të gazetës, – Donald Trump është i papërshtatshëm për të qenë president.

Këtë vit më shumë sesa një garë që vë përballë dy parti, atë demokrate dhe atë republikane, që kanë dallime themelore në platformë, kjo është një garë e fokusuar tek emrat e përveçëm të kandidatëve, shkruan “USA Today”.

Nga dita që ai shpalli kandidaturën e tij, 15 muaj më parë, deri në debatin e parë presidencial të kësaj jave, Trump – shkruan “USA Today”,vazhdon të tregojë në mënyrë të përsëritur se ka mungesë temperamenti, njohurish, vendosmërie dhe ndershmërie, transmeton Top Channel.

Nga këndvështrimi i gazetarëve që ndjekin çdo ditë deklaratat e tij, është vënë re se miliarderi gënjen dhe shtrembëron fakte. Qoftë përmes indiferencës apo injorancës – shkruan “USA Today”, – Trump ka tradhtuar angazhimet themelore të bëra nga të gjithë presidentët amerikanë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Këto angazhime përfshijnë mbështetjen e palëkundur për aleatët e NATO-s, kundërshtimin ndaj agresionit rus dhe sigurinë absolute se Shtetet e Bashkuara do ia dalin mbanë me deficitin buxhetor.

Disa ditë më parë, ish-Sekretarja e Shtetit Clinton mori mbështetjen publike edhe të gazetës “Republika e Arizonës”, hera e parë që vota e tyre i shkon një kandidati demokrat, që nga themelimi në vitin 1890.

Ndërkohë, një raport i ri nxjerr në dritë faktin se Donald Trump ka tentuar të investojë në Kubë në vitin 1990, duke shkelur kështu ligjin amerikan, pasi Havana dhe Uashingtoni kanë thuajse vetëm një vit që kanë rindërtuar marrëdhëniet.

Sipas “Newsweek”, drejtuesit e hoteleve “Trump” kanë vizituar ishullin komunist për t’u takuar me zyrtarë kuban dhe për të bërë me ta biznes.

Komentoni