Lajme

Të akuzuarve për pjesëmarrje në luftërat e huaja, u refuzohen ankesat

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka vërtetuar një aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 24 prill të këtij viti, sipas të cilit tre shtetas të Kosovës, ishin shpallur fajtor për veprën penale të kryer në bashkëkryerje bashkim ose pjesëmarrje në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore ose individuale jashtë territorit të Republikës së Kosovës, vepër kjo e ngalur në tentativë.

Në këtë mënyrë gjykata ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e dy prej avokateve mbrojtës për ulje të dënimit, ndërsa ka hedhur poshtë si të pa lejuar, ankesën e avokatit të tretë.

Sipas një njoftimi të Gjykatës së Apelit, me aktgjykim të shkallës së parë i akuzuari T.I., ishte dënuar me dy vjet e katër muaj burgim, i akuzuari I.Z, dy vjet e gjashtë muaj dhe e akuzuara N.Z. po ashtu dy vjet e gjashtë muaj.

“Gjykata e Apelit gjeti se gjykata e shkallës së parë me rastin e caktimit të dënimit për dy të pandehurit e fundit, i ka vlerësuar drejtë të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese. Ndërkaq e hodhi poshtë si të palejuar ankesën e avokatit mbrojtës të të pandehurit T.I., meqenëse palët kishin lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë, marrëveshje kjo e përpiluar me shkrim, konform dispozitave ligjore”, thuhet në njoftim.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*