Kosova

Tahiri: Prishtina s’fitohet pa balotazh

Gara në Prishtinë nuk mund të përmbyllet pa balotazh. Analisti Ramush Tahiri thotë se mes Shpend Ahmetit e Arban Abrashit nuk pret dallim në rezultat gjatë raundit të parë, ndërsa kandidatin e LDK-së e sheh para kryetarit aktual.

Analisti Tahiri thotë se fushata zgjedhore është më e mirë nga çka jemi mësuar të shohim, ndërsa veçon garën në Prishtinë ku, sipas tij, kandidatët janë më të profilizuar dhe më të përgatitur.

Sipas Tahirit, në kryeqytet gjithsesi do të ketë balotazh. Por, deri në fazën e dytë, ky analist pret që gara të zhvillohet baras mes kryetarit aktual, Shpend Ahmetit dhe kandidatit të LDK-së, Arban Abrashit.

“Gara nuk mund të fitohet pa balotazh, askush s’mund t’i marrë 51 për qind”, ka thënë Tahiri për Gazetën Express.

Tahiri thotë se Abrashi do të dalë pak përpara Ahmetit, ose do të jenë përafërsisht të barabartë me të, në rrethin e parë të zgjedhjeve.

“Shpendi e ka hendikepin e qeverisjes, sepse po e kritikojnë për kunja… për shumëçka”, shtoi Tahiri.

Rreth zgjedhjeve lokale në përgjithësi, partitë politike, sipas Tahirit, duhet t’i japin rëndësi Asamblesë Komunale dhe ndikimit që do ta kenë në to.

“Është e rëndësishme se kush fiton më shumë asamblistë, pastaj në fazën e dytë mund të bëhen llogaritjet e mëtejshme për kryetarë të komunave”, ka thënë Tahiri.

Përveç zgjedhjeve lokale, Tahiri për Express ka komentuar edhe rezultatin që sollën zgjedhjet e nivelit qendror, përkatësisht Qeverinë dhe opozitën e tanishme.

Tahiri thotë se Qeverisë duhet t’i jepet kohë, edhe pse, sipas tij, duket se më shumë ka pasur zhurmë sesa që ka pasur punë.

“Ka pasur disa shkarkime dhe ngarkime që nuk kanë lënë shije të mirë. Qeveria po merr vendime arbitrare”, thotë analisti për Express.

Kritiku Tahiri tregohet për emërimin e Komisionit të ri për rishikim të demarkimit të kufirit me Malin e Zi, në krye të të cilit është zgjedhur ish-deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi.

Sipas tij, puna e komisionit të mëparshëm nuk mund të korrigjohet saktë nga persona që parimisht vetëm e kanë kundërshtuar Marrëveshjen e Demarkacionit.

“U emëruan njerëzit që ishin më kritikë, tash iu dha urdhri që të verifikojnë punën e komisionit të mëparshëm”, është shprehur Tahiri.

E për deklarimet e kryeministrit Haradinaj për Demarkacion, Tahiri thotë se mund të arsyetohen përderisa ato thuhen si udhëheqës partiakë, e jo si shefi i ekzekutivit. Në të kundërtën, raportet me Malin e Zi do të rrezikoheshin.

“Kryeministri asnjëherë nuk u deklarua se kufiri është në Çakorr edhe në Kullë. Në momentin që është deklaratë e kryeministrit, raportet me Malin e Zi prishen”.

Ndërsa, përveç Qeverisë, Sipas Tahirit, lë për të dëshiruar edhe opozita dhe puna e Kuvendit në përgjithësi.

“Qeveria po merret me veten pa dërgu më shumë ligje. Gjithashtu Qeveria po shet mend në Kuvend, duke kushtëzuar qëndrimin ose jo në seanca”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se më mirë nuk janë as opozita.

“Opozita nuk duhet të mbajnë qëndrim opozitar vetëm se përballë ka Qeverinë, por duhet të bëjnë opozitarizëm me argumente. Duhet të jenë kundër ose pro Qeverisë, në bazë të argumenteve”, thotë analisti.

Komentoni