Kosova

Tahiri: Nuk komenton iniciativën për specialen, do të punoje vetëm sipas ligjit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri nuk deshi të komentoj iniciativën e deputetëve për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, duke thënë se kjo u takon vetëm deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nga pozita e ministrit të Drejtësisë ai tha se punon me ligjet në fuqi, pra edhe me ato ndryshimet kushtetuese që janë bërë kur është miratuar Ligji për Gjykatën Speciale në gusht të vitit 2015.

“Në asnjë rrethanë nukdo të komentojë iniciativat e tyre politike, por jam i obliguar të punoj konform ligjeve të cilat dalin nga Kuvendi i Kosovës. Kosova ka një sistem parlamentar dhe ne si Qeveri i përgjigjemi Kuvendit dhe deputetëve të Kuvendit dhe çdo miratim i çfarëdo ligji qoftë mua më obligon ta zbatoj”, ka thënë Tahiri.

Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një vizitë në qendrën e paraburgimit në Gjilan ku është takuar me drejtuesit e saj. Tahiri vlerësoi lart funksionimin e Qendrës së Paraburgimit duke premtuar se së shpejti kjo qendër do të plotësohet edhe me 40 oficerë korrektues duke u zotuar se do të jetë efikas në shpenzimin e buxhetit për pajisjet e sigurisë që ndërlidhen me sigurinë e kësaj qendre.

Ndërsa drejtori i Shërbimit Korrektues, Sokol Zogaj, shpreson se viti 2018 do të jetë vit i suksesit, fal siç tha ai “ministrit dhe kabinetit të tij”. /Kosova.info/

Komentoni