Kosova

Tahiri nuk ka njohuri nëse do të ketë vazhdim të nismës për shfuqizimin e Speciales

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se nuk është i njoftuar nëse do të ketë vazhdim të nismës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Ai ka pohuar se si drejtues i këtij dikasteri qeveritar është i obliguar që të veprojë në përputhje me ligjet që janë në fuqi. Në të njëjtën kohë ka shprehur bindjen se funksionalizimi i Gjykatës Speciale nuk e zbeh rolin e gjyqësorit të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Tahiri ka pohuar se nisma për shfuqizimin e Gjykatën Speciale ka ardhur nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, por që nuk është formalizuar në Kuvend dhe se aktualisht kjo gjykatë është e themeluar në përputhje me legjislacionin.

“Unë si ministër i Drejtësisë do të punoj konform ligjeve që janë në fuqi. Aktualisht ajo gjykatë (Gjykata Speciale v.j.) është e themeluar mbi bazën e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve në fuqi dhe deri më tani nuk jam i njoftuar nëse do të ketë ndonjë iniciativë ose nëse do të ketë më tutje vazhdim të një iniciative të tillë”, ka thënë Tahiri gjatë vizitës së realizuar në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Komentoni