Lajme

Tahiri, në Samitin e Paqes, flet për luftën dhe paqen në Kosovë

Ministrja për Dialog e Republikës të Kosovës, njëherësh kryetare e Lobit Rajonal të Grave (RWLSEE), Edita Tahiri, ka marrë pjesë në Samitin e Paqes të HWPL/IWPG, të mbajtur në Seul të Koresë së Jugut, nga data 17-19 shtator 2016.

Në këtë Samit morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), Haki Demolli. Po në këtë Samit, që kishte për qëllim paqen dhe ndaljen e luftërave në botë, morën pjesë përfaqësues të shteteve, qeveritarë, politikanë, akademikë, përfaqësues të religjioneve dhe shoqërisë civile nga e gjithë bota.

Ministrja Tahiri, së bashku me koordinatoren e Lobit Rajonal të Grave, Diana Cekaj-Berisha, zhvilluan një takim me udhëheqësin e HWPL Man Hee Lee dhe udhëheqësen e IWPG Nam Hee Kim, me të cilët biseduan lidhur me angazhimet për ta promovuar paqen globale në botë.

Në vijim gjeni fjalimin e ministres në këtë Samit, të mbajtur në sesionin mbi rolin e 3.6 miliardë grave të botës për paqen dhe ndaljen e luftërave.

 

Fjalimi i ministres për Dialog të Republikës të Kosovës si dhe kryetares së Lobit Rajonal të Grave (LRGEJL), Edita Tahiri, në samitin e paqes të HWPL/IWPG, të mbajtur në Seul të Koresë së Jugut, 17-19 shtator 2016.

 

Të nderuar pjesëmarrës, zonja e zotërinj,

Idealet për liri dhe paqe janë forcat më mobilizuese që mund të përjetojë individi. Këto ideale më kanë motivuar edhe mua të luftoj për lirinë e pavarësinë e vendit tim, Kosovës, ku dhjetë vjet më vonë, në vitin 1999, erdhi edhe fitorja. Lufta për pavarësi është një prej gjërave më të mira që mund të bësh për kombin tënd. Unë jam krenare për këtë, sepse populli im tani jeton në paqe dhe po punon për prosperitet demokratik dhe të ardhme euro-atlantike. Pa dyshim që paqja dhe liria janë jetike për çdo individ dhe çdo vend në botë. Megjithatë për ata si ne të cilët kurrë më nuk duan të shohin luftë dhe gjenocid kundër popullit të tyre, paqja ka një kuptim shumë të veçantë. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu të bëjë thirrje për paqe dhe ndërprerje të luftërave në botë dhe fuqimisht ta mbështesim deklaratën e HWPL/IWPG. Duhet të lëvizim shpejt dhe të arrijmë shumë. Të gjitha gratë në botë sot duhet të unifikohen në ngritjen e zërit për paqe dhe të avokojnë për të.

Duhet të jemi të guximshme, vizionare dhe proaktive. Rrugëtimi ynë do të jetë i vështirë dhe i gjatë, por asnjëherë nuk është e lehtë të realizohen idealet e mëdha. Unë vetë e kam provuar. Si një liderë grua gjatë kohës së luftës, kam bërë rezistencë dhe kam qenë këmbëngulëse. Asnjëherë nuk kam reshtur së luftuari për të mposhtur okupatorin dhe liruar popullin tim. Nuk kam ndjerë asnjëherë frikë dhe isha e gatshme të jap jetën për lirin e popullit tim. Çdo ditë, për dhjet vitet sa ka zgjatur lufta, shpirti dhe mendja ime ka qenë në kontradiktë të vazhdueshme, duke ndrydhur emocionet e mia për tragjedinë e shqiptarëve që po vriteshin dhe po pastroheshin etnikisht, që të isha e fortë për në misionin tim diplomatik për të kërkuar përkrahje për vetëvendosje dhe pavarësi të Kosovës.

Para se të vazhdoj të ndaj me ju dëshminë time për përpjekjet, fitoren dhe dhimbjet gjatë luftës për pavarësi, dua të falënderoj udhëheqësit e HWPL dhe IWPG, z. Lee dhe Znj. Kim, për ftesën që të marrë pjesë në këtë samit kaq të rëndësishëm për arritjen e paqes dhe ndalimin e luftërave në botë. Unë jam posaçërisht e kënaqur që gjendem në Korenë Jugore dhe të takohem me popullin mik korean. Koreja e Jugut ka njohur shtetin tim Kosovën dhe për këtë do t’ju jemi mirënjohës përherë. Ju ishit ndër vendet e para në botë që e njohët Kosovën. Po ashtu, shpreh kënaqësinë që po takohem me të gjithë juve pjesëmarrësit e këtij samiti që vini nga pjesë të ndryshme të botës.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Para okupimit të vendit tim unë nuk isha politikane. Ju bashkova lëvizjes për liri, demokraci dhe pavarësi të Kosovës për shkak se populli im gjendej në vështirësi. Ende e kujtoj momentin kritik i cili më bëri që të marrë vendimin tim për të luftuar për liri – ishte momenti kur forcat e okupatorit serb vranë tre fëmijë shqiptar në oborrin e një shkolle fillore. Në ato momente, e kujtova luftën e babait tim për të drejtat e shqiptarëve, i cili kurrë nuk u pajtua me padrejtësinë ndaj kombit tonë të ndarë dhe të shtypur. Ishte ky një moment përcaktues, një moment i marrjes së përgjegjësive që të ndihmoj mbijetesën e popullit tim me çfarëdo çmimi. I nxita mijëra gra në qytetin tim që t’i bashkohen lëvizjes, dhe shpejt u zgjodha në kryesinë e lëvizjes të njohur si Lidhja Demokratike e Kosovës. Unë besoja në atë që po bëja. Besoja se nuk mund të ketë paqe pa pasur drejtësi për popullin tim. Një drejtësi që ndërtohet mbi të drejtën e Kosovës dhe shqiptarëve për vetëvendosje, dhe që sillte përfundimin e shtypjes dhe gjenocidit kundër popullit tim. Qëllimi im ishte të sigurojmë që kurrë më të mos ndodh gjenocidi kundër shqiptarëve. Besoja se gratë duhet të luftojnë krah për krah me burrat drejt arritjes së qëllimit historik për një komb të lirë dhe të pavarur. Ne nuk kishim armë, dhe e gjithë strategjia jonë bazohej në përdorimin e fuqisë së mendjes tonë. Ne përdorëm forcën e argumentimit për t’ja shpjeguar botës çështjen e Kosovës dhe shqiptarëve. Në anën tjetër, armiku ynë Serbia, po përdorte forcat e armatosura kundër neve. Mijëra e mijëra shqiptarë u vranë, e mes tyre edhe shumë gra dhe fëmijë. Por, asnjëherë nuk u dorëzuam. Ja arritëm të bindim bashkësinë ndërkombëtare që të kuptoj çështjen e Kosovës, ndërkohë që organizuam institucionet tona shtetërore që na ndihmuan të mbajmë rezistencën. Diaspora shqiptare u bë dora jonë e djathtë. Rezistenca dhe këmbëngulësia të cilën e dëshmuam përmes mjeteve paqësore, e solli mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si aleati ynë kryesor në arritjen e lirisë. Kur armiku përshkallëzoi dhunën në luftë gjenocidiale dhe në pastrim etnik, atëherë si kundërpërgjigje erdhi rezistenca e armatosur e njohur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Për rreth dy vjet në njërën anë po vazhdonte lufta, ndërsa në anën tjetër po zhvilloheshin negociatat për paqe. Përfundimisht, kur armiku nuk e nënshkroi marrëveshjen për paqe në konferencën e Rambujesë, atëherë ShBA-ja së bashku partnerët euroatlantik dhe NATO-ja vendosën të përdornin forcën ushtarake për të përfunduar luftën dhe të sillnin paqe për Kosovën dhe popullin e saj. Unë isha pjesë e negociatave për paqe, dhe Ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës gjatë gjithë dhjetë viteve të luftës.

Edhe tani në kohë paqeje jam duke punuar për forcimin e paqes. Jam duke negociuar normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe njohjes reciproke mes shtetit tim dhe ish-armikut Serbisë. Për pesë vite, këto bisedime për paqe të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian si dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë sjell rezultate të prekshme, ndonëse mbetet edhe shumë për bërë në të ardhmen.

 

Të nderuar miq,

Rruga drejt paqes është e mundshme dhe rasti i Kosovës është një shembull për këtë. Historia njeh shumë shembuj tjerë të tillë. Ajo çka ne duam është të mos ketë më luftëra në botë. Duam të mbyllim historinë e luftërave dhe të hapim historinë e paqes në botë. Kjo është ajo që synon deklarata e HWPL – arritjen e paqes dhe ndërprerjen e luftërave, dhe si të tillë duhet ta përkrahim. Kjo deklaratë ngërthen thelbin e humanitetit dhe qasjes humanitare, porse jo të gjithë duket të jenë human në botën ku po jetojmë. Bazat politike dhe ligjore të deklaratës janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me kartën e OKB-së, andaj ofrojnë bazën e vlefshme për mbështetjen e një synimi të shenjtë për paqe. Kjo deklaratë pasqyron filozofinë dhe kulturën e paqes që gjithëve na duhet.

Mirëpo, ne jemi të vetëdijshëm që karta e OKB-së nuk ka arritur të jap përgjigje të drejtë të gjitha krizave në botë, sepse në disa raste ajo është ndeshur me mungesë konsensusi ndër anëtarët e Këshillit të Sigurimit për shkaqe të interesave të ndryshme. Një situatë e tillë ishte edhe në rastin e Kosovës. Për këtë arsye ne duhet të zgjerojmë kornizën e kësaj deklarate për t’i rritur kapacitetet e zgjidhjeve paqësore të konflikteve në botë.

Përvoja ime politike dhe akademike për zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes më kanë ndihmuar të kuptoj rëndësinë e dy koncepteve të tjera që kontribuojnë për paqe të qëndrueshme. Koncepti i parë është përgjegjësia për mbrojtje që përcakton se shtetet duhet të ushtrojnë sovranitetin për mbrojtjen e popullit të tyre dhe jo për shtypjen e tij. Shteteve nuk duhet lejuar të keqpërdorin sovranitetin për të shtypur popullin e tyre. Kur një shtet shtyp apo ushtron gjenocid mbi popullin e tij apo pjesë të popullatës, atëherë ndërhyrja ndërkombëtare bëhet e domosdoshme. Në rastet të tilla, vlera e sovranitetit të popullit duhet renditur më lartë se vlera e sovranitetit të shtetit. Kështu është shpëtuar populli im, falë intervenimit humanitar të SHBA dhe NATO kundër Serbisë/Jugosllavisë. I dyti është koncepti i paqe ndërtimit dhe shtet ndërtimit në vendet e pas konfliktit, ku ndërhyrja ndërkombëtare është vendimtare. Kjo nënkupton se ndërhyrja ndërkombëtare nuk duhet të mbaroj me mbarimin e luftës, përkundrazi duhet të vazhdoj derisa institucionet shtetërore të atij vendi të funksionojnë në mënyrë demokratike dhe të jenë të afta të ofrojnë shërbime publike për gjithë qytetarët, si dhe derisa të vendoset drejtësia tranzicionale, veçanërisht drejtësia për gratë e dhunuara gjatë luftës, si dhe përderisa të arrihet pajtimi dhe ri-integrimi i minoriteteve. Kjo është mënyra e vetme që të sigurohemi se janë larguar shkaqet kryesore të konfliktit, përndryshe ekziston rreziku që konflikti të përsëritet. Në terme shkencore, pra duhet të sigurohemi që nga paqja negative që vendoset menjëherë pas luftës të bëjmë transformimin në paqe pozitive, që nënkupton paqe të qëndrueshme.

Po ashtu, më lejoni të them se roli i gruas në proceset e ndërtimit të paqes është i domosdoshëm. Gratë jo vetëm që duhet të përfshihen në negociatat për paqe, por duhet edhe të fuqizohen në politik në mënyrë që ato të luajnë një rol të rëndësishëm në proceset e rindërtimit pas konfliktit. Rezolutat e OKB-së mbështesin agjendën e paqes dhe sigurisë për gratë, dhe ne jemi ato të cilat mund të bëjmë që këto rezoluta të zbatohen. Bashkëpunimi mes grave dhe veçanërisht bashkëpunimi rajonal i grave në proceset e paqes dhe sigurisë është shumë i rëndësishëm. Këtu, dëshiroj të përmend organizatën tonë, Lobin Rajonal të Grave të Evropës Juglindore si një model unik dhe inspirues që ka bashkuar gratë liderë nga shtat vende të Ballkanit dhe cilat janë të dedikuara të punojnë për paqe dhe fuqizim të grave. Si kryetare e kësaj organizate mund të them se gjatë dhjetë viteve të punës ia kemi arritur të bëjmë të dëgjohet zëri i gruas në çështjet vendimtare për një të ardhme më të mirë të shteteve tona, për paqe, prosperitet dhe të ardhme euroatlantike. Ju inkurajoj që ta ndiqni modelin e Lobit tonë sidomos ju gratë që vini nga vendet e pas konfliktit, ndërsa ne jemi të gatshme të ndajmë përvojën tonë me ju.

Angazhimi për paqe është një mision i shenjtë. Asnjëherë nuk duhet ndalemi së punuari për këtë mision. Gratë përbëjnë gjysmën e botës, dhe jemi një fuqi që po ngritët në këtë shekull. Le të bëhemi aktorë të paqes, le të bëhemi liderë për një botë më të mirë.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*