Lajme

Tahiri: Ndërtimi i pikë kalimeve me Serbinë -në fazën përfundimtare

Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, së bashku me përfaqësuesit e policisë dhe doganës, BE-së dhe UNOPS qëndroi dje në Kroaci për një vizitë studimore për IBM, me ç’rast ka vizituar pikë kalimin kufitar Bajakovo. Kjo vizitë është realizuar me qëllim të marrjes së përvojave të planifikimit dhe funksionimit të pikë kalimeve kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë pasi që Kosova tashmë është në proces të ndërtimit të pikë kalimeve të përhershme me shtetin fqinjë Serbinë, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit për IBM. 

Ministrja Tahiri në takim me autoritetet kroate në këtë pikë kalim kufitar ka shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Kroacisë si dhe ka vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit, duke qenë se Kroacia tashmë është një vend anëtar i BE-së. Ajo ka njoftuar se Kosova po bënë përgatitjet finale për ndërtimin e pikë kalimeve të përhershme kufitare me shtetin fqinjë Serbinë, në bazë të marrëveshjes së Brukselit, dhe se kjo vizitë ka karakter studimor nga e cila do të merren përvojat e Kroacisë në këtë fushë. Ministrja Tahiri gjatë këtij takimi shtoi se ndërtimi i këtyre pikë kalimeve të përhershme kufitare ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Serbisë ofron mundësinë e një kontrolli më të mirë kufitar si dhe avancimin dhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave sipas parimeve të IBM-it.

Autoritetet kroate shprehën kënaqësi dhe gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e menaxhimeve kufitare. Kryesuesi i delegacionit kroat, Dragan Babovic, drejtor i policisë në këtë PKK dhe udhëheqës i sektorit për bashkëpunim me vendet fqinje, theksoi se bashkëpunimi mes autoriteteve kufitare të dyja vendeve duhet të vazhdoj dhe se ata janë të gatshëm për këmbimin e përvojave në rrugën e integrimit evropian dhe plotësimit të standardeve në fushat përkatëse.

Kjo vizitë studimore që zgjati rreth pesë orë u realizua në dy pjesë. Në pjesën e parë të vizitës, të gjitha autoritetet doganore prezantuan veprimtarinë e tyre secili në fushën që mbulon, përfshirë këtu policinë, doganën, inspektimet fitosanitare dhe veterinare. Prezantues ishin Tihomir Žegrec, udhëheqës i Shërbimit për Hetime Doganore, Kresimir Vidovic, ndihmës shef për rajonin e Vukovar-Sremit, Suzana Rogic, udhëheqëse e departamentit për Veterinari, Irena Stimac, udhëheqëse e departamentit të Inspeksionit Sanitar Kufitar. Pas prezantimeve, u zhvillua një diskutim i gjerë me pjesëmarrësit nga Kosova, në veçanti të angazhimeve të Shaban Guda, drejtor i Policisë Kufitare, dhe Bekim Mehmetaj, udhëheqës i sektorit për IBM në Doganat e Kosovës.

Në pjesën e dytë, delegacioni vizitoi PKK Bajakovo duke u njohur me planifikimin dhe funksionimin e të gjitha autoriteteve kufitare, praktikave të IBM si dhe me zgjidhjet teknike, të teknologjisë informative dhe ato arkitektonike.

Pikë kalimi kufitar Bajakovo është më i madhi në Republikën e Kroacisë dhe ka një fluks të madh të qarkullimit ku vetëm në vitin 2015 ka pasur frekuentim të mbi 8 milion pasagjerëve, mbi 2 milionë veturave dhe  mbi 400,000 maunave. Vlerësohet si një shembull i mirë për t’u ndjekur për rastin e PKK të Kosovës në Merdare. Pikë kalimi Bajakovo/Batrovci është në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.

Në  delegacionin e udhëhequr nga ministrja Tahiri morën pjesë: Shaban Guda, drejtor i Policisë Kufitare, Bekim Mehmetaj, udhëheqës i sektorit për IBM në Doganat e Kosovës, Elona Cecelia, këshilltare politike e ministres Tahiri, Merita Govori, menaxhere e projektit të IBM në Zyrën e BE-së në Kosovë,  Dritëro Jashari, zv.menaxher i projektit në UNOPS, Alan Wilson, këshilltar për çështjen e IBM në EULEX,  Amir Haziri, këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Kroaci. /KI/

Leave a comment

Your email address will not be published.


*