Lajme

Tahiri: Kontributi i Zhbogar do të kujtohet me respekt

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka takuar sot në një drekë pune përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Ky ishte takim lamtumirës për Zhbogar i cili këtë muaj e përfundon mandatin e tij në Kosovë duke kaluar në pozitën e shefit të delegacionit të BE-së për Maqedoni. Në këtë takim morën pjesë Boyd Mekenzie nga zyra e BE-së dhe këshilltarët Dren Zeka e Gazmir Raci.

Ministrja Tahiri shprehu falënderimet e saja dhe të Qeverisë së Kosovës për angazhimet e Zhbogar si përfaqësues shumë vjeçar i BE-së në Kosovë. Ajo tha se çmon lartë kontributin e tij për zhvillimin evropian të shtetit të Kosovës duke theksuar se në këtë periudhë Kosova shënoi një përparim historik në integrimin evropian me nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociim me BE-në. Tahiri po ashtu u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin konstruktiv me Zyrën e BE-së në Kosovë gjatë udhëheqjes së Zhbogar duke potencuar se së bashku kemi arritur progres në shtrirjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës në pjesën veriore të vendit dhe normalizimin e gjendjes atje përmes proceseve integruese dhe shuarjes së strukturave paralele, në saje të procesit të dialogut të Brukselit.

Ajo shprehu bindjen se jemi në përfundim të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave gjithashtu dhe kontributi i Zhbogar do të kujtohet me respekt. 

Nga ata e tij Zhbogar shprehu falënderime të veçanta për bashkëpunimin e ngushtë me ministren Tahiri. Ai tha se është shumë i lumtur që ka pasur mundësi të jetë në Kosovë në një kohë të rëndësishme për vendin, dhe se do të marrë me vete kujtime të bukura nga Kosova bashkë me respektin për qytetarët e Kosovës. Ai shtoi se do të ndjekë me vëmendje zhvillimet pozitive të Kosovës drejt aspiratës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian ndërsa theksoi se Marrëveshjet e Brukselit padyshim që kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e sovranitetit të Kosovës. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*