Kosova

Tahiri: ASK nuk është në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses

Kryesuesja e palës kosovare në dialog me Serbinë në Bruksel, ministrja Edita Tahiri ka thënë se marrëveshja për asociacionin e komunave serbe, është në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe gjatë hartimit të statusit i cili ende nuk ka filluar, statuti do të respektohet plotësisht me vendimin e gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të vitit 2015.

Edita Tahiri këto komente i bëri gjatë raportimit para Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.

“Asociacioni i komunave serbe në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet pronare e pasurisë publike të Kosovës, qoftë të pronësisë të nivelit qendror apo lokal. Asociacioni nuk do të ketë asnjë rol në menaxhimin e pasurisë dhe resurseve natyrore të Kosovës. Kjo është me rëndësi të theksohet sepse ka pasur shumë dezinformata në këtë çështje prandaj dëshiroj edhe një herë të ritheksoj se asociacioni nuk do të këtë kurrfarë roli në resurset natyrore sepse ato janë asete shtetërore dhe me to menaxhon vetëm qeveria e republikës së Kosovës”, ka thënë Edita Tahiri.

Ajo theksoi se asociacioni përfaqësohet nga organet e saj brenda dhe jashtë njësoj sikurse asociacioni ekzistues në pajtim me ligjet e Kosovës.

Komentoni