Lajme

Sulmuesi në Paris, i njohur për Policinë

Sulmuesi që qëlloi për vdekje një polic në Paris të enjten mbrëma, është identifikuar nga dokumentet që i kishte lënë në veturën e tij, kanë thënë zyrtarët francezë por ende nuk kanë publikuar emrin e tij.

Mediat lokale kanë raportuar se sulmuesi është një 39-vjeçar, që ka jetuar në periferi të Parisit dhe është parë potencialisht si radikal islamik, raporton BBC.

Autoritetet franceze kanë arrestuar tre anëtarë të familjes së sulmuesit, raporton agjencia Reuters, duke cituar burime të paidentifikuara.

Policia franceze gjithashtu ka thënë se është duke kërkuar për një person, i cili është identifikuar nga shërbimet e sigurisë së Belgjikës, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.

Sulmuesi kishte parkuar veturën e tij, përballë një veture të policisë në bulevardin Champ-Elysees në Paris. Ai më pas kishte hapur zjarr ndaj zyrtarëve policorë. Pas shkëmbimit të zjarrit, ai kishte tentuar që në këmbë të ikte nga vendi i ngjarjes por autoritetet franceze e qëlluan atë për vdekje.

Sipas mediave franceze, sulmuesi ka vuajtur disa vjet burgim pasi kishte qëlluar me armë zjarri zyrtarët policorë në vitin 2000.

Shumë shërbime të inteligjencës e kanë identifikuar atë si radikal islamik.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se është i bindur se sulmi “është i lidhur me terrorizmin”.

Grupi militant Shteti Islamik morri përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se një prej “luftëtarëve” të tij ka kryer sulmin.

“Ekzekutuesi i sulmit në zonën Champs-Elysees, në qendër të Parisit, është Abu Jusuf al-Beljiki dhe ai është një luftëtar i Shtetit Islamik”, tha agjencia e lajmeve Amaq, e lidhur me grupin ekstremist.

Prokurori i Parisit, Francois Molins, ka deklaruar të enjten mbrëma se “identiteti i sulmuesit është i njohur” për organet e rendit.

“Nuk do ta zbulojë atë, sepse hetuesit janë duke kryer bastisje”, ka thënë ai.

E gjithë zona në Champ-Elysees u mbyll dhe autoritetet i bën thirrje qytetarëve që të shmangin zonën ku ndodhi sulmi.

Autoritetet në Francë kanë thënë se kanë nisur kërkimet në shtëpinë e sulmuesit të vrarë në lindje të Parisit, i cili thuhet se ka qenë i njohur si ekstremist.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, reagoi menjëherë pas sulmit dhe tha se është “e tmerrshme” ajo që po ndodh në botë.

“Para së gjithash, ngushëllime për popullin e Francës. Po ndodh sërish. Është një gjë e tmerrshme. Është një gjë shumë e tmerrshme ajo çfarë po ndodh në botë sot. Duket si një tjetër sulm terrorist. Çfarë mund të thuash? Thjesht, nuk përfundon kurrë. Duhet të jemi të fortë, duhet të jemi vigjilentë dhe e kam thënë këtë për kohë të gjatë”, tha Trump.

Franca është në gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të sulmeve terroriste në territorin e saj, të cilat, qysh në vitin 2015, kanë lënë të vrarë mbi 230 njerëz.

Të shtënat, të enjten mbrëma, ndodhën në të njëjtën ditë kur kandidatët për president të Francës bënë apelet e fundit te votuesit.

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë do të mbahet të dielën. /rel/

Leave a comment

Your email address will not be published.


*