Kosova

Studentët mbajnë ‘Ligjëratë‘ para Kishës

Studentë të grupit “Uniteti” kanë mbajtur një orë “mësimore” para kishës ortodokse nga e cila i ndante një kordon i gjatë i policisë. Studentët thanë se hapësira universitare duhet të shfrytëzohet vetëm nga studentët dhe për studentët.

Një grup prej rreth 20 studentësh kanë mbajtur sot një orë “ligjëratë“ në oborrin e kishës ortodokse, e ndërtuar në hapësirën e kampusit universitar.

Sipas Edon Zenelajt, student i UP-së, hapësira universitare duhet të përdoret vetëm nga studentët dhe për studentët.

“Ne jemi një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës dhe jemi në unitet për një gjë kryesore gjë që edhe na bashkon këtu: kampusi universitar duhet të përdoret vetëm nga studentët dhe për studentët”, tha Zenelaj.

Grupi i studentëve, i quajtur “Uniteti”, nuk është lejuar t’i afrohet kishës nga një kordon policor.

Në këtë situatë, studentët janë ulur, kanë nxjerrë librat dhe kanë filluar ta zhvillojnë një orë mësimore në ambient të hapur.

Në këtë aktivitet, studentëve u është bashkuar edhe profesori universitar Bekim Lumi.

Ky është aktiviteti i dytë studentor kundër kishës ortodokse, e ngritur në kohën e ish-regjimit në hapësirat e Universitetit të Prishtinës.

Kundër pranisë së kishës së kohës së regjimit shtypës të Slobodan Millosheviqit në hapësirën universitare sot ka reaguar edhe Universiteti i Prishtinës, i cili ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të gjejnë mënyrën dhe kjo pronë t’i kthehet UP-së.

Komentoni