Lajme

Ankohen studentët: Ka mungesë hapësirash, dominon mësimi teorik

Mungesa e hapësirës së duhur për vijimin e ligjëratave, numri i madh i studentëve në disa njësi akademike, studime më shumë mbi bazën teorike dhe shumë e mangët në atë praktike, janë vetëm disa nga problemet, me të cilat ballafaqohen studentët e Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Universiteti i Prishtinës i ka 17 fakultete, nga të cilat 14 janë fakultete akademike, ndërsa 3 janë fakultete të shkencave të aplikuara.

Numri i studentëve në Universitetin e Prishtinës nga viti në vit ka shënuar rritje, aktualisht në këtë universitet studiojnë mbi 45 mijë studentë.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, sjellim mendimet e disa prej studentëve, të cilët studiojnë në njësi të ndryshme akademike në Universitetin e Prishtinës.

Vanesa Bunjaku studente në Fakultetet të Arteve thotë se ndihet e privilegjuar që është studente në këtë fakultet. Ajo thotë të jetë e kënaqur në përgjithësi me gjërat që iu ofron fakultetit, por që ka disa mangësi që studimin e saj e bëjnë më të vështirë.

“Arsyet që më bëjnë të mos ndihem mirë në fakultet janë kushtet, të cilat nuk janë adekuate ashtu siç i kërkon fusha e artit, nuk i kemi hapësirat e duhura që të krijojmë artin tonë që ne dëshirojmë, në veçanti unë që studioj skulpturën”, shprehet Vanesa.

Banimi është një problem tjetër që e thekson Vanesa. Ajo nuk kishte arritur të bëhet banuese e konvikteve të studentëve dhe tani është e detyruara që të udhëtojë çdo ditë nga qyteti i Gjilanit për në Prishtinë.

“Tash tre vjet udhëtoj nga Gjilani. Nuk kam mundur të pranohem në konvikt vetëm për një pikë dhe atë për shkak të largësisë. Qyteti i Gjilanit prej nga unë vij, konsiderohet të jetë afër nga Prishtina dhe nuk kam arritur të pranohem në konvikt”, shprehet ajo.

Mungesa e hapësirës së duhur për vijimin e ligjëratave është një problem tjetër i studentëve të Universitetit të Prishtinës. Kjo mungesë e hapësirës thuhet të jetë më e theksuar në Fakultetin Ekonomik, për shkak të numrit të madh të studentëve.

Granit Beqiraj student master për Banka dhe Financa në Fakultetin Ekonomik, tregon se në studimet themelore bachclor, problemin më të madh e kanë pasur me hapësirat ku kanë mbajtur ligjëratat.

“Gjatë studimeve master nuk kemi ndonjë problem specifik se numri i studentëve është më i vogël, gjithçka shkon sipas proceduarave të parapara të fakultetit, por në studimet bachelor numri i studentëve ka qenë shumë i madh dhe hapësira, në të cilën janë mbajtur ligjëratat në krahasim me numrin e studentëve, ka qenë shumë e vogël”, thotë Graniti.

Ai preferon më shumë të mësojë në bibliotekën e fakultetit sesa në banesën ku ai jeton, por që edhe për këtë siç thekson ai, ka pasur probleme të mëdha.

Numri i madh i studentëve, thotë Graniti, në shumë raste ka pamundësuar gjetjen e një vendi në sallën e leximit.

Ndërkohë, studentët e Fakultetit të Arkitekturës thonë të kenë problem me salla ku mund të bëjnë ushtrime, të cilat janë të nevojshme për studimet që ata bëjnë.

Një problem tjetër që e theksojnë studentët, është ai se fakultetet e ndryshme të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ofrojnë kushte për studime më shumë mbi bazën teorike, ndërkaq ana praktike e studimeve është e mangët”.

Fatbardh Qerimi, student i Fakultetit të Arkitekturës thotë se u mungon në masë të madhe praktika.

“Mungesa e sallave, e cila e pamundëson mbajtjen e ushtrimeve, praktika mungon te kjo është e keqja. Ne do të donim që të dalim të shikojmë një objekt se ndërtohet dhe të mos e kemi atë objekt vetëm në vizatime”, thotë ai.

Edhe Ramadan Alushi nga qyteti i Gjilanit, student në Fakultetin e Arkitekturës, thotë se praktika ka munguar çdoherë.

“Problemet më të mëdha në fakultetin tonë janë mungesa e hapësirave për të mbajtur ushtrime, ligjëratat janë të caktuara në salla, por problemi është tek ushtrimet dhe praktika profesionale, e cila është parësorë për ne, pasi që ta përfundojmë fakultetin”, thotë ai.

Për mungesë të praktikës në fakultet flet edhe Luan Shala, student i Fakultet Teknik:

“Ne kemi qenë 90 studentë në vitin e parë, të cilët kemi studiuar për gjeodezi i kemi pasur tri instrumente dhe shumë pak kemi dalë në terren ne po studiojmë vetëm në baza teorike dhe jo praktike”.

Studentët, ndërkohë, iu bëjnë thirrje autoriteteve kompetente që të bëjnë më shumë për përmirësimin e kushteve të tyre, në mënyrë që ata pas përfundimit të studimeve, të dalin të përgatitur në atë fushë që ata studiojnë.

Sistemi i arsimit të lartë në Kosovë në vazhdimësi ka marrë kritika nga ekspertë të kësaj fushe. Ata, përveç problemeve që janë cekur nga studentët, kishin evidentuar edhe shumë probleme tjera.

Mësimdhënia jo e rregullt, personeli i pakualifikuar, mospërputhja e programeve studimore me tregun e punës, mungesa e mekanizmave efektiv për sigurimin e cilësisë, plagjiatura e punimeve të diplomave, janë vetëm disa nga problemet që ata kishin thënë se po e përcjellin arsimin e lartë në Kosovë.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*