Kosova

Studentët e FShMN protestojnë: Duan objekt të ri, Ahmeti kërkon të mos zgjedhin shumë

Studentët e FShMN-së sot në mesditë kanë protestuar për të kërkuar ndërtimin e një objekti për këtë fakultet. Megjithatë hapësira e ndërtimit të këtij objekti i ka gjetur të ndarë ata dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Teksa studentët me ngulm kërkojnë që objekti të ndërtohet në hapësirën e kampusit universitar, ndërsa Ahmeti tha se aty nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Si opsion ai ka përmendur që objekti i FShMN-së të ndërtohet në afërsi të Fakultetit Teknik, por është Ministria e Kulturës ajo që duhet të heqë dorë nga ideja e ndërtimit të Pallatit të Operës në atë hapësirë.

“Aty është vendi për objektin. Aty është e paraparë me plan rregullues që të ndërtohet objekti i FShMN-së. Krejt çka duhet të bëhet është që Ministria e Kulturës të heq dorë nga Pallati i Operës sepse nuk e ka vendin aty, e pastaj ne të procedojmë me planet rregullative që i kemi. As unë as çfarëdo kryetari nuk mund të veprojë në kundërshtim me planet rregullative të cilat i ka kaluar kuvendi komunal”, tha Ahmeti.

Por studentët duan që ky objekt të ndërtohet në hapësirën e kampusit universitar. Ahmeti tha se nëse këta të fundit do të merrnin pjesë në seancën për Kishën Ortodokse në hapësirën e UP-së, do të kishte mundësi të mendohej ndërtimi i këtij objekti në kuadër të kampusit.

“Kur po flas unë për katër hektarë aty, ju nuk keni shkuar në seancë, të Kishës Ortodokse. Pse nuk keni shkua në seancë për këtë? Nuk është moti prorektor. 4 hektarë aty që do të na kishin dhënë zgjidhje me mendua neve për kampusin universitar. Nuk keni kërkua tokë tjetërkund”, tha Ahmeti.

Dekani i FShMN-së, Tahir Arbneshi tha se e falënderojnë kryetarin Ahmeti për fjalët e thëna, porse durimi i studentëve ka fund.

“Këto fjalë mua, kryetari i Komunës m’i ka thënë kur rektor ka qenë Ramadan Zejnullahu. Dhe nëse nuk harron kryetari, ka thënë vitin tjetër në mars, do të fillohet me punë”, tha ai. /Kosova.info/

Komentoni