Bota

Stoltenberg: Ndërhyrja ushtarake në Korenë V. do të kishte “pasoja shkatërruese”

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ndërhyrja ushtarake kundër Koresë së Veriut do të kishte “pasoja shkatërruese”.

Stoltenberg i bëri këto komente në një intervistë për agjencinë AFP, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se përpjekjet diplomatike me Phenjanin kanë dështuar.

Stoltenberg, i cili do të vizitojë Korenë e Jugut dhe Japoninë në javët e ardhshme, tha se Uashingtoni ka të drejtë ta mbrojë veten dhe aleatët, por bëri thirrje për përpjekje më të mëdha diplomatike.

“Përdorimi i forcës ushtarake do të kishte pasoja shkatërruese. Mendoj se askush nuk e do këtë, andaj na duhet të insistojmë në një zgjidhje të negociuar”, tha Stoltenberg.

Koreja e Veriut, muajin e kaluar, ka testuar një bombë hidrogjeni dhe një raketë me rreze të gjatë veprimi. Ajo ka kërcënuar ShBA-në me sulme.

Komentoni