Bota

Stoltenberg: Me Rusinë “mbrojtje dhe dialog”

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca perëndimore do të vazhdojë të ndjekë dialogun me Rusinë, porse, në të njëjtën kohën, do t’i forcojë kapacitetet mbrojtëse dhe mbështetjen për partnerët në Evropën lindore.

Stoltenberg i bëri këto komente për gazetarët në Bruksel, në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, në të cilin mori pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.

“Jemi pajtuar se qasja jonë ndaj Rusisë, e cila është vendosur në Samitin e Varshavës më 2016 – pra, mbrojtja dhe dialogu – ka qenë efektive”, tha Stoltenberg.

“E kemi forcuar mbrojtjen kolektike, duke mbetur të hapur për dialog”, tha ai.

Tillerson, në anën tjetër, tha se ministrat e NATO-s janë pajtuar se tash për tash “nuk ka normalizim” të lidhjeve me Rusinë.

“Kemi pasur shumë diskutime në këtë takim të NATO-s, në lidhje me atë se cili duhet të jetë angazhimi me Rusinë. Mendoj se ka pajtim të gjerë midis anëtarëve të NATO-s se tash për tash nuk ka normalizim të dialogut me Rusinë”, tha Tillerson pa hyrë në detaje.

Marrëdhëniet Rusi-Perëndim janë tensionuar prejse Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Komentoni