Kosova

SPERTK: Heqja e shujtës ditore për punëtorët e RTK-së qon në protesta

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së përmes një reagimi ka thënë se e kundërshton fuqishëm kërkesën e Komisionit Parlamentatr që punëtorëve të RTK-së t’u hiqet shujta ditore. Ata gjithashtu thonë se ky veprim mund të sjell destabilizim dhe protesta në RTK.

“Sindikata e Punëtorëve e RTK-së shprehet e shqetësuar me gjendjen financiare të RTK-së viteve të fundit. Ajo që e rëndon më tepër këtë situatë është deklarata e Komisionit Parlamentar për financa ku ky komision kërkon që punëtorëve të RTK-së t’u hiqet shujta ditore, e garantuar me kontratën kolektive e cila është nënshkruar nga Sindikata SPERTK dhe ka kohë që ka hyrë në fuqi”, thuhet në komunikatën e Sindikatës derisa thonë se e kundërshtojnë fuqishëm këtë kërkesë të këtij komisioni.

SPERTK kërkon nga Kuvendi dhe aktorët tjerë që, në vend se të merren me kërkesa të tilla, të gjejnë zgjidhje për financimin e RTK-së, digjitalizimin, ligjin e ri për RTK-në dhe ta zgjidhin çështjen e pronës.

“Çdo kërkesë për ulje të pagave, SPERTK e konsideron presion mbi RTK-në dhe si të tillë të papranueshëm. Kjo mund të sjellë destabilizim dhe protesta në RTK”, thuhet në reagim.

SPRTK kërkon nga Kuvendi i Kosovës që ta marrë parasysh rekomandimin e EBU-së rreth formës dhe shumës së buxhetit për financimin e RTK-së dhe të heqë dorë nga kërkesat që bien ndesh me ligjin.

Për të dëshmuar se kërkesa e Komisionit për Finaca është e kundërligjshme, shihni Neni 58  pikën 1. të Kontratës Kolektive.

Neni 58 – Kompensimi i shpenzimeve për ushqim gjatë punës

1. Të punësuarve, u sigurohet kompensimi për ushqim, gjatë punës me orar të plotë, për ditët e pranisë në punë. Vlera e kompensimit të shpenzimit të ushqimit në punë, për një ditë pune, është 2.5 euro. Varësisht nga rrethanat dhe mundësitë për rastin konkret do të rishikohet mundësia për rritje”, shkruan në komunikatë e SPERTK-së.

Komentoni