Kosova

SPARK pret të qartësohet çështja e certifikimit të diplomave

Pas marrëveshjes së Brukselit për certifikimin e diplomave kosovare, palët në bisedime kanë njoftuar se javën e ardhshme do të mblidhen për të definuar platformën. Zyrtarë të organizatës ndërkombëtare për Edukim, Zhvillim dhe Trajnim, SPARK e cila do të kryejë procesin e certifikimit, kanë thënë se presin të qartësojnë çështjen e certifikimit.

Organizata ndërkombëtare për Edukim, Zhvillim dhe Trajnim, SPARK e ka marrë përsipër një punë certifikimi që nuk e ka kryer më herët. 

Sipas  marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë njohjen e  diplomave,  ato do të marrin vulë evropiane  përmes  kësaj organizate e cila në fakt ende nuk e ka të qartë se si do të kryhet procesi certifikues.

Drejtori i bordit të  kësaj organizate, Yannick du Pont, i ka thënë Radio Kosovës se palët pritet ta definojnë  formalisht procesin e certifikimit.

Marrëveshja për certifikimin e diplomave kosovare sërish nuk do i vë në pozicione të barabarta diplomat e lëshuara nga universitet e tyre.

Kjo ujdi, materia e plotë e së cilës nuk është ende publike, parasheh që diplomat e lëshuara nga universitetet e Kosovës prej vitit 1999 dhe tutje  t’i nënshtrohen një procesi goxha të gjatë certifikimi.

Ajo nuk përfshin certifikim të diplomave të Serbisë dhe as ndonjë qartësim për diplomat e universitete private në Kosovë. Ndërsa diplomat e lëshuara nga universiteti paralel i Mitrovicës pritet të njihen nga pala kosovare.

Ekipi i ministres për Dialog, Edita Tahiri, e as Ministria e Arsimit e Kosovës gjithashtu nuk kanë dhënë detaje për  pjesën kosovare të obligimeve rreth kësaj marrëveshje. Ajo që dihet është se nga fundi i nëntorit  shtetasit e Serbisë që pas vitit 1999  kanë marrë diploma në  Kosovë duhet t’u drejtohen për certifikim zyrave të organizatës SPARK në Kosovë e Serbi.

Në këtë kategori përfitues pritet të jenë të diplomuarit shqiptarë  nga lugina e Preshevës të cilëve nuk u njihen diplomat e Kosovës.

Në vitin 2011 Kosova dhe Serbia nënshkruan në Bruksel një marrëveshjen për pranimin reciprok të diplomave universitare që nuk u zbatuan kurrë. Kjo marrëveshje u shfuqizua  nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë në vitin 2014.

Nëse zbatohet marrëveshja e re përfshin një certifikim evropian për pjesën kosovare për një periudhë pa afat kohor.

Komentoni