Lajme

Spahiu: Eulogji për një mik

Avni Spahiu, ambasadori i Republikës së Kosovës në Turqi, ka ngushëlluar familjen Mehmedi me rastin e vdekjes së mikut të tij, gazetarit dhe publicistit, Qani Mehmedi.

Në vazhdim po e publikojmë të plotë letrën e tij.

Eulogji për një mik

E nderuara familje Mehmedi,

Të dashur miq,

Po ju shkruaj larg jush, por megjithatë pranë, në këtë pikëllim të madh për t’u përshëndetur me mikun tim Qani Mehmedi. Është një ditë e vështirë për të gjithë ne. Për mua gjithashtu, nga që më ra hise të jem larg dhe të mos mund t’i japë nderimet e fundit dhe të flas për ikjen e tij të  parakohshme dhe jetën e mikut tim të nderuar.

Ndonëse, është shumë më lehtë të mbash zi dhe të jesh i pikëlluar në heshtje. Heshtja vetmitare të heq mundimin që të mos jesh i detyruar të nxjerrësh fjalët nga goja, apo që thjesht të mos jesh në gjendje të flasësh.

Por, qoftë në heshtje apo jo, një gjë për të cilën unë jam i sigurt që të gjithë ju që merrni pjesë në nderimin e fundit të Qani Mehmedit, në vendlindjen e tij, në Drogomisht, ku do të prehet, do ta vlerësoni se në këtë moment pikëllimi së bashku, duke ndarë heshtjen e njëri-tjetrit, mendimet e rënduara të secilit për mikun tonë Qani Mehmedin, nderojmë atë të cilin të gjithë e kemi dashur, si një mik , si familjar, si një të dashur, si një vëlla tonin të shtrenjtë …

Ne të gjithë kemi kujtimet tona personale dhe të veçanta, gjurmët që Qaniu ka lënë në zemrat tona, në jetën tonë, por është shumë e vështirë për mua personalisht që sot të mos jem aty, duke shqiptuar mendimet e mia me zë të lartë, duke reflektuar, me ndjenjë të pikëllimit dhe dhembjes së thellë, për kohët që kemi kaluar së bashku dhe duke mos u pajtuar assesi me faktin se Qaniu nuk është më me ne.

Megjithatë, jam i sigurt për dy gjëra: së pari, se ai do të kishte dashur që ne të gjithë të jemi tok me mendimet tona më të shtrenjta për të nderuar mikun tonë dhe kohën e kaluar së bashku dhe, së dyti, se ai është, megjithatë, me ne, shumë i fuqishëm dhe i pavdekshëm me praninë e tij shpirtërore.

Qani Mehmedi është njëri nga gjurmëmëdhenjtë e Kosovës dhe të botës shqiptare në përgjithësi, për të huazuar një term me të cilin ai shkroi një libër për personalitetet që ai i çmonte. Ai ishte i tillë sepse kishte një personalitet i fortë në gjerësinë dhe thellësinë e tij, për nga karakteri, veçantia dhe prania imponuese.

Ai ishte një intelektual i kalibrit të madh dhe mbi të gjitha një patriot që u ngjasonte rilindësve të dikurshëm, me virtytet dhe vendosmërinë e patundur, siç e gjejmë në përshkrimet për shqiptarin e vërtetë dhe të idealizuar.

Ne të gjithë jemi këtu, sepse diku dhe disi, në ndonjë mënyrë a tjetër, që të gjithë jemi puqur me personalitetin e Qani Mehmedit. Për mua, prania e tij do të jetë gjithmonë e ndjeshme. Ajo për të cilën do ta kujtojmë gjithmonë do të jetë sinqeriteti i tij, miqësia e tij e pafund, dashamirësia për njerëzit e mbiqiellit tonë dhe për njerëzimin në përgjithësi.

Si një njeri, që siç thoshte vetë, qëndroi vertikalisht dhe i paepur edhe në momentet kur jeta të rrëzonte përdhe. Unë do ta kujtoj përjetë për peshën e fjalës së tij, kur thoshte se kjo punë kërkon qëndrim vertikal dhe njerëz të papërkulshëm. Apo, se kombi kërkon të luftosh dhe të qëndrosh. Dhe se të qëndrosh do të thotë të fitosh.

Apo, do ta kujtoj edhe për humorin e tij vetëkritik dhe anën njerëzore të pandryshueshme, në afërsi me të tjerët. Do të mbahet në mend tek të gjithë për tiparet dhe autenticitetin e tij personal, për virtytet dhe vetëflijimin, si dhe për preokupimet e përhershme me çështjet e kombit, për ç’ë gjë i kishim vënë edhe titullin e “Presidentit të pakurorëzuar të botës shqiptare”.

Kjo është ajo që e bën këtë njeri të veçantë të jetojë përjetësisht tek unë dhe jam i sigurt se edhe te të gjithë ju që e keni njohur. Ju të gjithë, jam i sigurt se keni momentet tuaja personale, të veçanta dhe intime që ju do t’i çmoni dhe do t’i mbani pranë zemrës. Ne jemi që të gjithë shumë me fat që kemi pasur Qani Mehmedin në jetën tonë dhe, ndonëse do të na mungojë që të gjithëve, ai do të mbetet me ne për aq kohë sa do të mund të mbajmë në mend.

Para dy vitesh, kremtuam ditëlindjen së bashku, duke qenë se kishim lindur më të njëjtën ditë, ndonëse në vite të ndryshme. Ai këmbëngulte që të bënte një dokumentar për vogëlsinë time, pa u menduar për ironinë që përgatiste jeta. Më pyeste formalisht për jetën time.

Ndonëse, nuk kam menduar asnjëherë për raste si ky, kur me peshën e rëndë të dhimbjes, por edhe me nderimin e pafund për të, do të jem i detyruar që të rikujtoj një pjesë të jetës së tij njerëzore dhe intelektuale.

Qani Mehmedi lindi në Kërçovë. Shkollimin e mesëm e kreu në Tetovë, kurse studimet e gazetarisë në Prishtinë. Ai filloi që herët të bëhej një emër i njohur për opinionin kosovar duke filluar që në moshën studentore të punojë si gazetar dhe kryeredaktor në gazetën e njohur studentore të viteve 80-ta “Bota e re”, kur edhe u njohëm . Qani Mehmedi vazhdoi pastaj si gazetar i shquar në “Zëri”,m “Rilindja” dhe në Televizionin e Prishtinës.

Ai shquhej në opinion si gazetar shqiptar për mprehtësinë e tij të fjalës dhe guximin e thënies së fjalës së vërtetë. qëndroi nëpër kohë të rënda për afro dyzet vjet në gazetari e profesionalizëm dhe përkushtimin kombëtar, i paepur dhe i patundur në idealin e vet.

Pas luftës në Kosovë,  punuam me Qani Mehmedin që nga fillimi i themelimit të Radiotelevizionit të Kosovës. Ai ishte gazetar, për të cilin, thosha shpesh si me shpoti, i denjë për të përcjellë vetëm presidentë e gjeneralë. Sepse, vetë ishte njhëfarë sovrani dhe gjernerali i gazetarisë. Roli i tij si mentor i gazetarisë shqiptare ishte po aq me vlerë.

Ai ndihmoi një sërë mediesh elektronike dhe të shkruara në Kosovë dhe Maqedoni. Kontributi i tij gjatë gjithë viteve gazetareske ishte i madh dhe si opinionist dhe analist politik ndaj shumë zhvillimeve dhe proceseve nëpër të cilat kalonte shoqëeria kosovare dhe viset shqiptaren në përgjithësi.

Qani Mehmedi ishte edhe autor i disa librave publicistikë. Në librin e tij të parë, “Shtetformimi I Kosovës” ai sjell të dhëna dhe fakte interesante historike duke qenë një pjesëmarrës real dhe dëshmitar i ngjarjeve aktuale. Libri i tij i dytë, me titull “Me gjurmëmëdhenjtë e Kosovës” sjell personalitetet më të shquara të jetës politike, shoqërore, shkencore e artistike shqiptare nga një këndvështrim i veçantë.

Qani Mehmedi përfundoi karrierën e tij si redaktor i emisioneve politike në Radio Kosovë, ku punuam së bashku me vite, përderisa jeta na çoi në drejtime të ndryshme.  Këto janë ca nga kujtimet për këtë njeri që u bë miku im më i ngushtë, një mik që asnjëherë dhe në asnjë çast nuk më zhgënjeu dhe që u përpoqa t’ia ktheja me të njëjtën masë, por assesi në masën dhe lartësinë e tij. Ai ishte më i arrirë dhe më luftarak nga unë. Më kujtohet thënia e të urtëve: është lehtë të bësh miq, por miqtë e vërtetë i vërteton koha. Në fund të mbeten fare pak. Mbetet ai mik që ka një fuqi të brendshme sa mund ta tund botën me një guxim që nuk e gjeni dot askund.

Dikush që mishëron frymëzim, duke shikuar përpara dhe drejt, me optimizmin e lindur përtej zhgënjimeve dhe ngecjeve.

Në fund të kësaj lamtumire të rëndë, i kthehem edhe njëherë familjes së tij të nderuar. Kjo është një humbje e pakompensueshme për familjen e tij të ngushtë, bashkëshorten Shehrijen, vajzën Besianën dhe djalin Mentorin, për vëllezërit dhe kushërinjtë e tij. Por familja e Qaniut është shumë më e gjerë se kaq.

Familja e tij është e pasur me njerëz që janë të lidhur nga një komb i tërë. Por çfarë është familja, në të vërtetë? A mund të kesh një vëlla përtej atij që ka një certifikatë lindjeje që të lidhë me të? Jo nga vëllai që të ka lindur nëna dhe babai… A mund të jetë një vëlla tjetër, përtej kësaj, dikush që të do pa kushte, edhe në momente të gëzuara po edhe të vështira, që asnjëherë nuk të tradhton, që të qëndron pranë edhe kur je i lumtur edhe kur ndjehesh i humbur.

Vëlla që nuk ta ka lindur nëna, por që të ka dhuruar jeta, si rrallëherë … Ky ishte Qani Mehmedi për mua. Edhe unë jam familjar i Qani Mehmedit, i afërt, mik dhe kushëri i tij …

Lamtumirë miku im i shtrenjtë!

Avni Spahiu

Leave a comment

Your email address will not be published.


*