Lajme

Sondazhet, pasqyrë reale apo imagjinare!

Shkruan: Florim ZEQA

Për ata që e njohin mirë historikun e pluralizmit politik në Kosovë, nuk është e vështirë për ta kuptuar realitetin politik të ditëve të sotme vendin tonë. Hapja e proceseve demokratike në fillimvitet e ’90-ta shënon edhe fillimin e sistemit plural në Kosovë.

Dalja në skenë e partisë së parë politike në 23 Dhjetorin e vitit 1989, pra të LDK-së, shënon ndarjen nga sistemi monist dhe kalimi në atë plural. Rrethanat e atëhershme kohore dhe politike, bënë që LDK-ja, për më tepër se parti politike, kishte marrë karakterin e një Lëvizje Popullore, si një front i përbashkët i rezistencës aktive paqësore karshi një represioni permanent të regjimit okupues të Serbisë.

Për t’i dhënë ngjyrë pluralizmit politik në Kosovë, në pjesën e dytë të viteve të ’90-ta themelohen edhe dy-tri parti politike, të cilat më tepër shërbenin si dekor i proceseve demokratike, duke vepruar në një linjë të përbashkët me LDK-në.

Përkundër përpjekjeve të mëvonshme të disa figurave eminente dhe me ndikim, për krijimin e një fronti opozitar, me themelimin e dy subjekteve me programe dhe opsione të kundërta politike, dështuan në qëllimet e tyre për thyerjen e frontit të përbashkët të lëvizjes paqësore demokratike shqiptare.

 

Në prag të luftës çlirimtare, fillojnë të rriten kontradiktat në mesin e popullatës

Edhe përkundër kërkesës së vazhdueshme të presidentit historik Ibrahim Rugova drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për njohjen formale të pavarësisë së 2 Korrikut 1990, njohjes së kushtetutës së 7 shtatorit po të njëjtit vit, si dhe të njohjes së vullnetit plebishitar të popullatës shqiptare të shprehur në Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, mbajtur nga data 26-30 shtator 1991. Mirëpo, për fat të keq kërkesat e vazhdueshme të Rugovës hasën në vesh të shurdhër të zyrtarëve të kancelarive më të larta botërore.

Si pasojë e kësaj situate dhe rritjes së represionit dhe agresionit serb ndaj popullatës civile shqiptare, shtrohet nevoja e organizimit në forma të tjera për mbrojtjen e pragut të shtëpisë (siç e thoshte Rugova) dhe nderit dhe dinjitetit kombëtar (siç e vlerësonin drejtuesit e rezistencës së armatosur).

Për faktin se rreshtat e fundit kërkojnë elaborim më të gjerë dhe më përmbajtësor, kësaj radhe po i kthehem temës në fjalë.

Pas përfundimit të luftës, fillon një epokë e re në jetën politike kosovare. Krahas LDK-së dhe partive minore ekzistuese, linden edhe dy parti të reja politike të krahut të luftës (PDK-AAK), jo si rrjedhojë e unitetit por si pasojë e fraksioneve të shfaqura nga koha e luftës çlirimtare mes drejtueseve ushtarak.

Elektoratet e këtyre dy partive politike nuk pikën nga qielli, por u shkëputën nga LDK-ja, disa të pakënaqur e më tepër të frustruar nga propaganda antirugoviane e disa subjekteve të dala nga lufta, e në veçanti të PDK-së, të cilët nuk e njihnin asokohe institucionin e presidentit të shtetit për të cilin “luftuan”!

Jo vetëm PDK e AAK, por edhe shumë të tjera që mbinë si “kërpudhat pas shiut” pas lufte, e shkëputën nga një pjesë të elektoratit të LDK-së.

Megjithatë, sa ishte gjallë lideri historik Ibrahim Rugova, LDK-ja në zgjedhjet nacionale dhe lokale peshonte më rëndë se të gjitha partitë tjera shqiptare.

Me shkuarjen e në amshim të Rugovës, akrepat e orës së LDK-së u kthye së numëruari mbrapsht. 

“Kuvendi i karrigeve”, përveçse e ndau në dysh partinë (LDK-LDD), akrepat e orës rugoviane u kthyen mbrapsht për 180 gradë,…një pjesë e konsiderueshme e elektoratit dhe aktivistëve të saj të lartë kaluan nëpër parti të tjera, në veçanti në AAK, dhe atë për një arsye të vetme, për faktin se ishte intervenimi i liderit të AAK-së, zotit Haradinaj në SHP të TMK-së, që bëri të mundur ceremoninë e varrimit të presidentit Rugova me nderime të larta ushtarake, gjë të cilën e kishin pamundësuar militantët e PDK-së!

Rënia e LDK-së nuk përfundon me kaq, pas katapultimit të Isa Mustafës në kreun e kësaj partie në vitin 2010, edhe përkundër bashkimit me LDD-në e Dacit nuk arriti të shënoj ngritje,…e në veçanti pas kuvendit të VIII-të zgjedhor të 31 Majit 2015, ku përfundimisht Isa Mustafa me sejmenët e tij e varrosën dhe dërguan në përjetësi frymën rugoviane brenda këtij subjekti politik, duke instaluar dhunën dhe diktaturën tipike komuniste dhe jo vetëm kaq,…karrieristët, linçuesit, faqezinjtë, njerëzit e pabesë shkelën mbi gjakun e veprimtarëve të LDK-së rugoviane,…matrapazët politik, hajdutët dhe kriminelët e maskuar nën petkun e demokracisë, mjeranët dhe servilët e fëlliqur e tradhtuan një popullatë të tërë për hir të interesave të tyre të ngushta personale.

Pavarësisht rezultateve të sondazheve të fundit, dhe pavarësisht faktit a janë reale apo imagjinare, sondazhe të lira apo me porosi,…elektorati i LDK-së pas 31 Majit 2015 ka lëvizur me të madhe në drejtim të partive të tjera.

Pavarësisht faktit, pse lideri i LDK-së dhe sejmenët e tij nuk dëshirojnë ta pranojnë këtë fakt, janë me dhjetëra raste të ish veprimtarëve të LDK-së që kanë deklaruar publikisht largimin nga kjo parti, qoftë edhe përkohësisht derisa në krye të saj të jetë Isa Mustafa.

“Elektorati ynë është i disiplinuar dhe ai nuk lëvizë”, deklaroi një dorë e zgjatur e Isa Mustafës, duke u munduar të mohoj realitetin e hidhur brenda LDK-së, duke e harruar logjiken e thjeshte; “Një parti, e cila e humb besimin në popull nuk mund të ketë rritje të elektoratit”.

Sondazhet gjithnjë bëhen në prag të zgjedhje, e me gjasë ato nuk do të vonojnë shumë dhe e vërteta do të dali në shesh. Pa dashur të flas në mënyrë hipotetike për përqindjet dhe cilat do të jenë dy partitë e para, një gjë është e sigurt, LDK-ja nuk do të jetë në mesin e dy të parave, mbase do të gjendet mes vendit të tretë dhe katërt të renditjes pas procesit zgjedhor.

Se cila parti ka shënuar ngritje e cila rënie të elektoratit gjatë këtyre viteve të fundit, do të jetë elektorati, ai që do t’ua jep përgjigjën e merituar të gjithë “rrahagjoksëve” të partive politike.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*