KulturëToplajm

Skulptori i mirënjohur Destan Gashi: Për të qenë i suksesshëm kërkohet durim e vendosje

Gjatë tridhjetë e gjashtë vjetëve si skulptor i vyeshëm dhe i mirënjohur në Evropë, në Amerikë dhe në botë, skulptori tashmë më renome botërore Destan Gashi, ka realizuari 51 ekspozita, dhe dashamirësve të skulpturës ju ka prezantuan hiq më pak se 376 skulptura nga mermere të ndryshme.

Në një intervistë ekskluzive për Kosova Info, skulptori Destan Gashi, tregon se si ëndrrën e tij prej artisti e bëri realitet.

“Gjatë dymbëdhjetë vjetëve sa jetuan, punuan – studiuan në Bruksel të Belgjikës, vetëm me punë dhe me sakrifica të mëdha arritëm të bëjmë realitet ëndrrën tonë të jetës bashkë, ku i përfunduan me sukses studimet e skulpturës dhe të pikturës në Akademinë e Arteve të Bukura në Bruksel”, ka thënë mes tjerash në intervistë skulptori Gashi.

Ai tregon se që tridhjetë vjet jeton dhe krijon në Vjenë, si skulptor i pavarur, me bashkëshorten Barbaren si piktore dhe vogëlushin Gurin, i cili ka filluar të punojë disa skulptura në gur zalli.

Kosova Info: Z. Destani, keni 36 vjet që merreni me skulpturë, dhe më punën tuaj keni arritur majat e suksesit jo vetëm ne trojet shqiptare, por edhe në arenën ndërkombëtare. Na tregoni sa ka qenë i vështirë rrugëtimi juaj drejtë këtij suksesi, duke filluar nga shkolla e mesme dhe studimet, dhe në fund karriera?

Destan Gashi: Unë kam lindur në një fshat i cili quhet Zoçishtë mesin e Therandës e Rahovecit. Familja ime merrte me bujqësi dhe vreshtari. Shkollën fillore mbarova në fshatin e lindjes ku dashuria për artin filloi në orët e vizatimit.

Pranë shtëpisë sime ishte një kodrinë me argjilë të thatë dhe aty kam filluar të gdhend me brisk figura të vogla. I mjeri, i mjeri unë, nuk kam ditur që këto figura të vogla ishin skulptura të mia të para, sepse as nuk e kam  ditur që këto figura të vogla ishin skulptura, me mendimin tim ato ishin vizatime.

Mësuesit e mi zbuluan talentin tim dhe i propozuan prindërve të mi të më dërgonin në Pejë për të vazhduar shkollën e Artit. Familja ime nuk ishte dakord për tu regjistruar në Pejë, ata dëshironin të punoja tokën.

Kështu qe ka zgjatur dy vite, koha të cilën e kam humbur. Kam qenë i detyruar për të ikur nga shtëpia, ku edhe jam vendosur në Kranjska Gora në Slloveni duke punuar nëpër kanale.

Pas kësaj kohe ju kam shkruar një letër  prindërve: “ E dashur Nënë, i dashur Baba, ju shkruaja nga Kranjska Gora e Sllovenisë, me ra malli shumë për juve, tani e kam një pyetje te fundit. A ka mundësi të kthehem në Kosovë dhe të vazhdoja shkollën e mesme të Artit në Pejë?”

Përgjigjja nga prindërit “ I dashur djali jon, të kthehesh menjëherë dhe do shkosh në Pejë për të vazhduar artin” U gëzova pa masë.

Mora trenin dhe u ktheva në Kosovë.

Shkova në Pejë dhe u regjistrova në shkollë ku edhe kam kaluar për mrekulli dhe diplomoj në vitin 1975.

Të njëjtin vit jam regjistruar në Akademinë e Arteve në Bruksel dega e pikturës. Diplomova në vitin 1978. Një vit punoja si mësimdhënës në fshatin tim.

Me 1981 takoja Barbarën, Austriake në Venedik të Italisë, shkojmë së bashku në Bruksel, ku unë regjistrohem prapë në Akademi, këtë herë dega e skulpturës, ndërsa Barbara regjistrohet një vit më vonë pikturën.

Diplomoj në skulpturë në vitin 1985 me një sukses të shkëlqyer dhe mora disa çmime.

Medalja nga qyteti Brukselit

Çmimi “Prix de Doutrelon de Try”

Çmimi “Prix d`Excellence”

Barbara diplomoi në vitin 1987 dhe pastaj vendosemi në Vjenë ku jetoj e krijoj deri me sot si skulptor i pavarur.

Kosova Info: Sa ka qenë i vështirë depërtimi si shqiptarë në botën e artit ndërkombëtar?

Destan Gashi: Po flasim kur e kam studiuar pikturën, pa e njohur Barbarën. Në atë kohë ka qenë tepër vështirë. Pa bursë, pa familje në një vend të huaj. Ditën kam shkuar në Akademi, ndërsa natën duke punuar në një shtypshkronje prej orës 22:00 deri në orën 4:00 të mëngjesit.

Studimet e skulpturës nuk kam vuajtur fare.

Kosova Info: Kush ju ka ndihmuar më së shumti në realizimin e ëndrrës tuaj?

Destan Gashi: Barbara me ka ndihmuar në të gjitha mënyrat.

Kosova Info: Jeni një familje që i përkisni botës së artit, pasi që edhe bashkëshortja juaj Barbara është piktore. Sa ju ka ndihmuar ajo drejtë këtij suksesi dhe njëherit drejt realizimit të qëllimeve tuaja?

Destan Gashi: Dua t`ju them dy, tre fjale: Nuk kam parë njeri më korrekt, nuk kam parë njeri me zemër aq të madhe. Po të isha shkrimtar do kisha shkruar një roman.

Kosova Info: Sa ekspozita keni realizuar deri më tani, dhe sa skulptura ju keni prezantuar dashamirëve të artit, pikërisht atyre të skulpturës? 

Destan Gashi: Deri me sot kemi realizuar 51 ekspozita.  Gjithsej kam krijuar 376 skulptura nga mermere të ndryshme.

Kosova Info:  Jeni ndër të paktët artistë bashkëkohorë, që ushtrojnë në Vjenë artin e vjetër të skulpturës. Për të shuar kuriozitetin e shumë dashamirësve tuaj, dhe po ashtu edhe timin, a mund të na tregoni origjinën dhe karakteristikat e gurëve më të cilët punoni?

Destan Gashi:  Mua personalisht me pëlqejnë mermerët me ngjyrë dhe me strukturë.

Të përdoruar:

Mermer Austriak nga Ëachau, Sölk, Gummern

Mermeri nga Italia (Karara e Laser)

Mermer nga Brazili

Mermer nga Portugalia

Granit i Belgjikës

Prej vitit të kaluar punoj edhe në mermer të Kosovës të cilën kam sjellë nga Theranda.

Kosova Info: Z. Destan, cilën ekspozitë, sa i keni realizuar deri më tani, kanë qenë më të suksesshmet, dhe a tregojnë ndonjë histori, legjendë apo motive, skulpturat që i punoni?

Destan Gashi: Është e vështirë të ju them, sepse kam pasur shumë ekspozita dhe shumë me plot sukses, por mundem t´ju them qe e kam ndier vetën shumë të kënaqur, kur kam hapur ekspozitë në Prishtinë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në vitin 2014, dhe kur kam ekspozuar në të njëjtin vit në Shkodër në Teatrin Migjeni, ku interesi ishte jashtëzakonisht i madh dhe aq shumë vizitor nuk kam pasur asnjëherë. Në ditët e fundit të ekspozitës ka pasur deri 900 njerëz në ditë.

Kjo ekspozitë ishte me titull “Legjenda e Rozafës dhe histori të tjera në gur”

Legjenda e Rozafës (Sapolinduri)

Legjenda e Doruntinës (Kali i Doruntinës)

Dy vajza këndojnë për pavarësinë

Grat e Hasit (Bukatorja, Vajza nga Zymi, Hasjanja duke i dhenë gji fëmijut, Hasjanja nga Demjani me djep, Hasjanja me dybek)

Legjendë për ura (Vajza mbi urë)

Vajza  nga Çamëria

Kosova Info: Jeni ndër skulptorët e rrallë bashkëkohorë në Evropë dhe botë që zotërojë mjeshtërinë e skulptorit, pra të gurgdhendësit. Skulpturat tuaja janë të vendosura në ente, në institucione shtetërore e private, në oborre të shtëpive, në shtëpi, në rrugë dhe në sheshe të qyteteve të Evropës, të Amerikës dhe në shumë vendeve të tjera të botës. A ndjeheni i realizuar në karrierën tuaj, apo keni edhe shumë çka për t’i dhënë botës së artit dhe shqiptarëve në përgjithësi?

Destan Gashi: Me ju thënë të drejtën ka edhe shumë, shumë gjera për të realizuar. Kam plot ide dhe ende mjaft fuqi për të gdhendur gurin. Në Kosovë ende nuk kam ndonjë skulpturë në vende publike. Kisha pasur dëshirë të beja një skulpturë me tradita shqiptare si për shembull një vajzë duke bartur rrush, që përshtatet rrethit time ose për shembull një vajzë Rugovase.

Kosova Info: Tani jetoni dhe punon në Vjenë të Austrisë, ku këto ditë keni hapur edhe ekspozitën e fundi. Sa kanë qenë të kënaqur dashamirët e skulpturës, me realizimin e kësaj ekspozite, dhe a ka patur ndonjë skulpturë që shpreh motive me burim kombëtar ?

Destan Gashi: Ekspozitën e fundit e bëra në Ambasadën e Kosovës në Vjenë e cila titullohet “Takime shqiptare”. Ka pasur vizitorë Austriak të cilët kanë qenë jashtëzakonisht shumë të kënaqur dhe ishin shumë të interesuar për skulpturat Hasjane dhe për skulpturat nga mermeri kuq nga Kosova.

Ja nga teksti i katalogut për ekspozitën në Ambasadës së Kosovës:

Destan Gashi, i cili ishte shpallur skulptor i vitit 2015 në Kosovë, prezanton në ketë ekspozitë 15 skulptura nga mermeri, në të cilën kanë gati të gjitha lidhje me atdheun, në një anë me temën dhe në tjetrën anë me materialin.

Artisti din me mjeshtri me përdorur cilësinë e gurit qe ka përzgjedhur vet në gurore. Ai shikon gurët me ngjyra të ndryshme dhe me vranësira. Shenjat e gurit i tregojnë rrugën artistit kur gdhend e kështu krijon vepra unike dhe madhështore.

Hasjanët: Skulptori ka gdhendur 6 skulptura nga mermeri në të cilën prezanton grat e Hasit me veshje te tyre tipike. Mermeri vjen nga bjeshkët e Austrisë, nga Vahau afër Krems dhe nga Hartenshtajn.

Çdokush e dallon menjëherë veshjen e hasjaneve. Një prej veçorive është një fund me vija, i endur me dorë ose i qëndisur me motive lulesh, që prapa te vithet është mbërthyer me një dërrasë druri, e cila e bën fundin të duket nga prapa si një katror. 

GURË KOSOVË

Në fillim të vitit 2016 Destan Gashi zbuloi gjatë një qëndrimi në atdheun e tij Kosovë një gurore afër Therandës. Në këtë gurore zgjodhi ai disa gurë për të provuar a janë të përshtatshëm për t’u gdhendur. Që prej asaj kohe kanë lindur tashmë disa skulptura të bukura.

TË NGREMË URA

Urat me harqe janë shumë të përhapura në Ballkan dhe prej kohësh një temë shumë e pëlqyer për gojëdhënat dhe legjendat shqiptare, si  në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Thuhet që në kohët e hershme e të ashpra janë flijuar njerëz, sepse urat rrëzoheshin shpesh gjatë ndërtimit. Kështu thuhet për „Urën e Fshejtë“ në Kosovë që të çon në Gjakovë duke ecur përmbi Drinin e Bardhë. Gojëdhëna thotë që gjatë ndërtimit të urës u muros një grua e re, me qëllim që ura të mbante.

E frymëzuar prej kësaj sage të vjetër lindi ideja për skulpturën „Vajza mbi urë“, 68x17x24cm, Mermer  Kosove, 2016

Interesante në këtë skulpturë është edhe përpunimi i këtij materiali të veçantë. Koka e vajzës, pasi iu dha forma, u lëmua e u ilustrua me letër smerile me dorë. Në këtë mënyrë guri në ngjyrë të kuqe të errët e shpalos të gjithë shkëlqimin e tij. Ura qëndroi e ashpër dhe e ngurtë, megjithëse është i njëjti gur.

Kosova Info: Përmes kësaj ekspozite, a keni përcjellë para opinionit publik austriak, vlerat më të mira kulturore të krijuesve tanë, ku në mesin e krijuesve më të suksesshëm në botë, jeni edhe ju?

Destan Gashi: Publiku Austriak ishte mahnitur me pasurin e kulturës shqiptare, me veshjet folklorike të Hasit, me legjendat shqiptare të lashta, dhe me veprat e mia të gdhendura në gurë të fortë.

Kosova InfoZ. Destan, skulpturat tuaja janë si rezultat i një pune të palodhshme, pasi që puna me gurë nuk është e lehtë. Sa keni arritur ta ruani anën më të bukur të artit, atë të kulturës shqiptare?

Destan Gashi: Sikur qe ju thash më herët qe sidomos tani punoj në tema shqiptare, por lidhjen me atdheun tim kam pasur gjithmonë. Kam punuar shumë buste Skënderbeut të madh, kam punuar Shqiponjën dykrenare, kam punuar Hyjneshën në fronë. Kam bërë shumë vizatime me personalitete si Shota Galica, Azem Bejta, Sylejman Vokshri, Naim Frashëri, etjera

Kosova Info: Në veprat tuaja artistike, cilës traditë i keni qëndruar  më besnik deri më tani?

Destan Gashi: Më tepër ju kam kushtuar nudove, sidomos studimin e femrave dhe formave të tyre elegante dhe lëvizjeve te tyre.

Kosova Info: Cilat janë projektet tuaja gjatë muajve të ardhshëm. Keni në plan hapjen e ndonjë ekspozite të re, dhe nëse po në cilat vende apo qytete, do t’i realizoni ato?

Destan Gashi:  Momentalisht kam ekspozitën në Sooss të Badenit prej datës 12 deri 28 maj, me 11 qershor kemi ekspozitën për ditën e Hapjës së Ateljës në Himberg afër Vjenës. Në verë jam i ftuar në Grac për të participuar në ekspozitën ndërkombëtare të skulpturave në Kopshtin Botanik.

Kurse jemi të ftuar edhe në Kosovë të marrim pjesë me skulpturat e “ Grave të Hasit” në Etno Fest në Kukaj, jemi duke biseduar për mundësit e transportit nga Vjena në Kosovë.

Kosova Info: Cila është porosia juaj drejtuar të rinjve shqiptarë, të cilët kanë ambicie për të qenë të suksesshëm në profesionet e tyre?  

Destan Gashi: Porosia ime është të punojnë më shumë dhe të flasin më pak. Për të qenë i suksesshëm duhet me pasur shumë durim, duhet vendosje. Kur themi po, duhet të jetë po, kur themi jo, duhet të jetë jo. Ndërsa atyre që mendojnë për ta studiuar artin, sidomos skulpturën ju kisha propozuar qe të punojnë edhe në gur. 

Intervistoi: Lumturije BEKAJ

Komentoni