LifeStyle

Si të ruhet ushqimi

Është shumë e rëndësishme që të keni kujdes për mënyrat se si i përgatisni dhe i ruani ushqimet e blera dhe afatin e tyre të skadimit.

Shumë nga ne e marrim ushqimin si të mirëqenë – nëse është blerë në treg duhet të jetë i shëndetshëm, i freskët, kualitativ etj. Nëse ushqimet i dërgon gjyshja nga fshati, atëherë janë të shëndetshme dhe të shijshme në mënyrë të natyrshme. Gjithnjë derisa nuk shfaqen sëmundjet dhe helmimi i shkaktuar me ushqim.

E vërteta është që në shumicën e rasteve fajtor për të vjellat, helmimin, diarrenë dhe komplikimet e tjera pas konsumimi të ushqimit të keq nuk është burimi nga i cili kemi marrë ushqimi, por mënyra se si i ruajmë në shtëpinë tonë, transmeton Koha.net. Kështu, është shumë e rëndësishme të keni kujdes për shprehitë dhe metodat me të cilat mëtoni të ruani ushqimin në frigorifer, friz, elementet e kuzhinës dhe në qilar. Ja disa këshilla se si ta bëni këtë në mënyrën më të mirë.

Vajin e ullirit mbajeni larg nga burimet e dritës së fortë dhe nxehtësisë për të qëndruar i freskët dhe kualitativ. Mund ta lini në frigorifer, por nuk e rekomandojmë këtë, sepse mund të trashet dhe turbullohet. Mbajeni mend këtë mirë – i pari që hyn, i pari del. Mendojmë, gjithsesi në ushqimet që i vëni në frigorifer dhe qilar. Në këtë mënyrë respektoni afatin e skadimit, ndërsa ushqimi nuk rri aty shumë gjatë.

Kini kujdes për afatet e skadimit në produkte. Është shumë e rëndësishme të dihet se çka paraqesin saktësisht datat. “Më së miri të përdoret deri më…” ose “të përdoret deri më…” dhe “afati i skadimit” nënkuptojnë periudhën në të cilën është më së miri të konsumohen dhe të ruhen ushqimet për shkak të ruajtjes së kualitetit. “Të shitet deri më” nënkupton se deri në cilën datë tregtarët guxojnë ta mbajnë në rafte një produkt të caktuar.

Keni vënë re që asnjë nga këto mbishkrime nuk përmend shëndetin dhe sigurinë e ushqimeve. Shumë shkencëtarë konsiderojnë që është krejtësisht në rregull të hahen produktet të cilave u ka kaluar afati i skadimit, sepse bëhet fjalë për një truk marketingu. Sigurisht, me kusht që produkti të mos hapet më herët dhe të mos ruhet në mënyrë të gabuar (qoftë në treg ose në shtëpi). Pas skadimit të afatit zakonisht humb vetëm kualiteti dhe nëse nuk ju pengon ushqimi pak më i keq, vetëm urdhëroni. Kjo sigurisht nuk nënkupton që atë ushqim mund ta lini më shumë ditë dhe t’i ktheheni përsëri.

E theksojmë përsëri, sapo të hapni produktin, rregullat ndryshojnë. Nuk mund ta ktheni më mbrapa në frigorifer ose ta lini disa ditë pas skadimit të afatit. Kur e hapni, bakteret mund të futen dhe të prishin ushqimin për një periudhë shumë të shkurtër. Prandaj konsumojeni të tërin dhe sa më parë. Është rregull e pashkruar që ushqimet e hapura dhe produktet që i ruani në frigorifer duhet t’i hani në afatin prej tre deri shtatë ditësh, ndërsa ushqimin si djathi i fortë mund ta ruani shumë më gjatë.

Një gjë tjetër e rëndësishme është hapësira. Largoni nga dollapët dhe elementet e kuzhinës çdo gjë që është e dëmtuar, si konservat që janë të fryra ose rrjedhin. Ushqimet e thata, mëlmesat, miellin dhe drithërat ruani në enë të mbyllura, sepse në enët e hapura lehtë mund të akomodohen insektet e ndryshme.

Nga frigoriferi hidhni ushqimin e ngrirë që qëndron me muaj, veçanërisht atë që është ngrirë për së tepërmi, që nuk është i etiketuar ose që në friz ka qëndruar më shumë se një vit. Kontrolloni rregullisht temperaturën në friz ( prej-15°C deri -20°C) dhe në frigorifer (5°C).

Mundohuni të mos e stërngarkoni frigoriferin dhe frizin. Ajri duhet të qarkullojë në mes ushqimeve që të ruhen dhe të jenë të ftohura mirë. Njëkohësisht, këto aparate të kuzhinës nuk duhet të jenë as për së tepërmi të zbrazëta, sepse do të punojnë në mënyrë më vështirë për shkak të sasisë më të madhe të ajrit i cili duhet të ftohet, transmeton Koha.net. Qumështin dhe vezët mos i lini në dyert e frigoriferit, sepse temperatura ndryshon më së shumti aty pasi dera hapet vazhdimisht.

Gjithmonë kontrolloni tekstin e imët të shtypur në ushqimet dhe produktet në të cilat gjenden rekomandimet për ruajtjen më të mirë. Shënoni me marker datën kur kalon afati i skadimit vetëm që të jetë më e dukshme data dhe t’i kushtoni më shumë vëmendje. Datën shënojeni edhe në ushqimin që e ngrini për një kohë më të gjatë dhe ushqimet që qëndrojnë më gjatë se zakonisht.

Në fund, e rëndësishmen është që mëlmesat t’i mbani më larg nga burimet e nxehtësisë dhe lagështisë, dhe kjo në përkthim nënkupton që nuk duhet t’i mbani afër shporetit.

Komentoni