Lajme

Si të dezinfektoni frutat dhe perimet pasi i keni blerë në dyqan

Frutat dhe perimet janë pjesë e pandashme e regjimit ushqimor duke zënë një vend të rëndësishëm në shportën e konsumit të çdo familjeje. 

Disa njerëz i blenë tek tregu i fshatarëve, të tjerë mendojnë se janë më të sigurta nëse blihen në supermarket, por pavarësisht kësaj një gjë është e sigurt: rrallëherë mund të gjeni produkte bio. 

Madje vitet e fundit në tregun shqiptar, sikurse dhe në media, janë bërë spekulime të ndryshme në lidhje me këtë temë duke ngritur shpeshherë dyshime rreth tyre. 

Nuk duam t’ju alarmojmë, por pothuajse të gjitha produktet përmbajnë pesiticide, prandaj është mirë t’i dezinfektoni para se t’i konsumoni, shkruan Living. 

Për këtë arsye ndiqni këshillat e mëposhtme:

1. Uthulla e bardhë e rrushit

Uthulla e bardhë ka veti anti-bakteriale dhe anti-septike të dobishme për të eliminuar toksinat nga frutat dhe perimet.
Duke qenë një produkt 100% organik, ajo jo vetëm dezinfekton, por ruan shijen e këtyre produkteve dhe vlerat e tyre ushqyese. Në një enë me ujë të vakët, shtoni uthull të bardhë sipas dëshirës dhe lani frutat e perimet. Në këtë mënyrë, do të jeni 100% të sigurtë përpara konsumit të tyre.

2. Lëng limoni

Lëngu i limonit ka në përmbajtjen e tij acide natyrore me veti antibakteriale, si dhe vajra esencialë që dezinfektojnë ushqimet tuaja nga papastërtitë dhe pesticidet. Në një enë shtoni 2-3 lugë gjelle lëng limoni dhe zhysni të gjitha perimet e frutat. Pas dhjetë minutash hiqni nga aty dhe shpëlajini me ujë të pastër.

3. Sodë buke

Një zgjidhje tjetër shumë e preferuar nga amvisat është edhe soda e bukës. Fuqia e saj pastruese është vërtetuar me qindra herë, për këtë arsye veproni si më poshtë: Shtoni dy lugë gjelle sodë buke në një tas të madh me ujë të ngrohtë dhe zhytini perimet aty. Lërini në enën me ujë derisa ai të ftohet dhe më pas lajini fruta-perimet me ujë të ftohtë.

4. Uthull molle

Edhe pse uthulla e rrushit të bardhë është më e përdorura për dezinfektimin e ushqimit, jo më pak e përdorshme është edhe uthulla e mollës. Ajo ka në përmbajtjen e saj disa komponimet organike që eliminojnë bakteret, mbetjet e kimikateve dhe toksinat në lëkurën e frutave dhe perimeve. Shto një gjysmë gotë me uthull molle në një tas me ujë dhe vendosni produktet tuaja për 10 minuta. 

5. Kripë deti

Kripa e detit ka veti antiseptike të dobishme për të dezinfektuar frutat dhe perimet. Ndryshe nga këshillat e mëparshme, kjo metodë ndryshon në mënyrë të konsiderueshme shijen e ushqimit, duke i dhënë shije të kripur. Shtoni një lugë gjelle kripë në një enë me ujë të ngrohtë dhe fshini sipërfaqen e frutave dhe perimeve me këtë lëng\

Leave a comment

Your email address will not be published.


*