ShowBiz

Shteti nuk mund të konfirmojë ardhjen e Rita Orës në Prishtinë

Rita Ora të premten është raportuar se do të performojë në Prishtinë për 10 vjetorit të Pavarësisë.

Lajmin e ka dhënë për emisionin Express të KTV-së, Adil Behramaj, pjesë e Këshillit Organizativ për Festën e Pavarësisë, por ardhja e krijueses së hitit botëror “Anywhere” në vendlindjen e saj u mohua nga njëri prej agjentëve të ekipit menaxhues.

“Jo, me aq sa di unë. Ajo nuk do të përformojë”, ka thënë Sol Parker, agjent i Rita Orës, ka raportuar “Insajderi” të premten mbrëma. Sipas tij, në atë datë Ora do të jetë në Japoni për një reklamë.

Ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe, Lirim Greiçevci në një deklaratë për portalin Koha.net, ka thënë se ai kishte vënë kontaktet mes ekipit të Rita Orës dhe Këshillit Organizativ për festimin e ditës së Pavarësisë së Kosovës.

“Unë i kam vënë në kontakt ekipin e Rita Orës me Këshillin Organizativ të Festimit të Ditës së Pavarësisë në Kosovë. Ata tashmë janë duke komunikuar mes vete për detajet teknike. Puna ime ka mbaruar aty”, ka thënë Greiçevci.

Portali Koha.net ka tentuar që sot të marrë ndonjë konfirmim nga Këshilli Organizativ nëse Rita Ora do të performojë në Prishtinë, por Adil Behramaj ka qenë i pa qasshëm.

Ndërkaq është bërë me dije që Ministri i Jashtëm Behxhet Pacolli i ka ofruar avionin e tij privat por akoma nuk ka përgjigje nga ajo nëse do të vijë pikërisht me këtë avion. Jetlir Zyberaj, këshilltar i Pacollit, ka deklaruar për Express se kanë mirëpritur gatishmërinë e Ritës për të ardhur në Kosovë.

Komentoni