Bota

“Shteti i Krishterë” kërkon që të mos shfaqet filmi për një dashuri të Carit të Rusisë

Në muajin janar të këtij viti, personi Andrei Alekseyev, e mori një letër nga aktivistët religjiozë, me të cilën atij i tërhiqej vërejtja se sallat e filmit, sikur ajo e tij, “mund të digjen” nëse atje e paraqesin filmin për lidhjen romantike të Carit Nicholas II, i cili ishte kanonizuar nga Kisha Ortodokse Ruse.

Kjo letër e nënshkruar nga grupi që veten e quan “Shteti i Krishterë – Holy Rus”, pretendon se ka anëtarë në gjithë Rusinë, që janë të gatshëm t’i sakrifikojnë jetët e tyre për “rrugën e vërtetë të krishterë ortodokse” dhe në të shkruan se shfaqja e filmit me titullin Matilda, do të mund të çonte në gjakderdhje dhe “luftë civile”.

Kundërthënia lidhur me këtë film, që e përshkruan një romancë ndërmjet princit të pamartuar të kurorës dhe të balerinës, Matilda Kshesinskaya, është shtuar gjatë muajve të fundit.

Por, kërcënimet me dhunë në këtë letër, të cilën e kanë marrë edhe pronarët e tjerë të sallave të kinemave, tash duken si parashikime frikësuese.

Gjatë dy javëve të kaluara, sulmues të panjohur kanë hedhur koktej Molotovi në studion e regjisorit të filmit Matilda, Aleksei Uchitel, në Shën Petersburg, dhe ia kanë vënë flakën dy veturave afër zyrës së avokatit të tij në Moskë, me porosinë “djegie për Matildën”.

Autoritetet thanë, po ashtu, se një njeri që e ka kundërshtuar filmin, që në gjithë Rusinë do të shfaqet më 26 tetor, e ka ndezur një makinë në hyrje të kinemasë në qytetin Jekaterinburg më 4 shtator, dhe se zjarri ishte përhapur deri në hyrje të sallës.

Kompania më e madhe e sallave të shfaqjeve të filmave këtë javë ka shpallur se nuk do ta shfaqin filmin Matilda, për shkak të shqetësimeve për shikues.

Alekseyev, themelues i një kinemaje në qytetin Jarosllavl, tha se letra e Shtetit të Krishterë ka “përhapur valë të frikës rreth Matildës” në mesin e pronarëve të sallave të filmit.

“Pastaj këta të ashtuquajtur aktivistë kaluan nga fjalët në vepra”, i tha Alekseyev Radios Evropa e Lirë.

Kjo dhunë e ka futur Shtetin e Krishterë, që dikur ishte i panjohur, në skenën kombëtare. Ky grup e ka hedhur poshtë çfarëdo lidhshmërie me këto incidente.

Sikur edhe shumë kundërshtarë konservatorë të Matildës, Shteti i Krishterë konsideron se filmi paraqet ofendim për Kishën Ortodokse Ruse dhe Carin Nicholas, lidhja e të cilit me balerinën Kshesinskaya ishte mirë e dokumentuar, por ajo është hedhur poshtë nga aktivistët. Kjo romancë pat përfunduar në vitin 1884, kur Nicholas ishte martuar me një princeshë gjermane.

Aleksandar Kalinin, që konsiderohet se është lider i Shtetit të Krishterë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky grup ishte formuar në vitin 2010 dhe se i ka afro 350 “anëtarë aktivë” në 240 qytete të Rusisë.

Kalinin thotë se “ky nuk është vetëm film, por është fillim i programit të gjërë për t’i shkatërruar bazat shpirtërore të vendit tonë”.

Kritikët e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, e kanë akuzuar atë se ka ndihmuar në forcimin e ndjenjës së pandëshkueshmërisë në mesin e militantëve religjiozë dhe aktivistëve nacionalistë, përfshirë legjislacionin e vitit 2013, që e ndalon “propagandën” homoseksuale ndër fëmijët.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se ky legjislacion është diskriminues.

Sa i përketë kontestit për filmin Matilda, Kremlini publikisht e ka kritikuar Shtetin e Krishterë në mënyrë direkte, duke e akuzuar atë për sulmet kundër regjisorit të filmit, Aleksei Uchitel.

Dy ligjvënës rusë kanë kërkuar që Ministria e brendshme e Rusisë dhe Shërbimi Federal i Sigurisë të zhvillojnë hetime lidhur me aktivitetet e mundshme ekstremiste të këtij grupi, ka thënë avokati i regjisorit Uchitel, ka raportuar agjencia Interfax.

Kisha Ortodokse Ruse është distancuar nga ky grup në muajin shkurt të këtij vit, pas letrës e cila u ishte dërguar sallave të filmave në Rusi, ndërsa një zëdhënës i kësaj kishte pat thënë se ky grup nuk ka të drejtë të flas në emër të kishës dhe nuk e përfaqëson komuntietin ortodoks në Rusi. /rel/

Komentoni