Kosova

Shqiptari i parë i Fushë-Kosovës

Ishte viti 1938. Familja Kelmendi e kishe ndarë mendjen ta linte fshatin Sharban të Prishtinës. Ishte vendosur jo shumë larg Stacionit Hekurudhor në Fushë-Kosovë.

Atëkohë, edhe kjo ishte pjesë e Prishtinës. Por kjo paralagje e kryeqytetit të sotëm ishte e kolonizuar nga serbët. 142 familje serbe ishin gjithsej atëkohë. E 143-a ishte regjistruar familja Kelmendi. Ajo ishte e para që e kishte “prishur” këtë demografi një etnike në pjesën që tashti njihet si qyteti i Fushë-Kosovës.

Familjet shqiptare deri atëherë jetonin nëpër fshatrat e kësaj pjese. Ë fëmija i parë i kësaj familjeje në vendin e ri ishte Shaban Kelmendi (1951). Ai u bë edhe “qytetari” i parë shqiptar i lindur në brendi të Fushë-Kosovës. Por pushteti i atëhershëm nuk donte që të “prishej” rendi. Ofiqaria e asaj kohe nuk kishte pranuar që Shabani të regjistrohej në Fushë-Kosovë.

Prindërit e tij u detyruan që fëmijën e parë të tyre ta regjistronin në fshatin Nakaradë të kësaj komune, që është ngjitur me Fushë-Kosovën, në pjesën veriore të qytetit. Kështu kishte ndodhur edhe më fëmijën e dytë.

Jeta në këtë pjesë të Kosovës, që tashti ka ndryshuar shumë nga atëherë, nuk ishte aspak e lehtë. Kishin jetuar si të vetëm për plot 15 vjet, derisa kishte ardhur familja Namani nga Keçekolla në vitin 1953, që ishte vendosur në Nakaradë. Ndërsa pas shpërnguljes së shqiptarëve nga Toplica, në Bresje ishte vendosur familja Bogujevci. Të gjitha të mirat e të këqijat familja Kelmendi i ndante me këtë familje. /koha/

Komentoni