Sport

Shqipëria në Divizionin C të Ligës së Kombeve

UEFA ka zyrtarizuar formatin përfundimtar të Ligës së Kombeve, me Shqipërinë që do të jetë e pozicionuar në Divizionin C. Mbyllja e kualifikueseve, Konfederata Europiane e Futbollit konfirmoi pozicionimin e skuadrave për turneun më të ri që do të startojë në vitin 2018.

Në bazë të koeficientit, Shqipëria e sheh veten në Divizionin C, aty ku në shortin e 24 Janarit të ardhshëm në Luzanë do të jetë në vazon e dytë. Kjo bën që të evitohen sfidat e nxehta me Greqinë dhe Serbinë, ndërsa evitohet edhe përballja me Norvegjinë.

Përsa i takon skuadrave që cilësohen koka-serie, rivalët e mundshëm në vazon e parë janë Hungaria, Rumania, Skocia dhe Sllovenia. Nga rivalët më të dobët në letër, kuqezinjtë mund të përballen me Malin e Zi, Izraelin, Bullgarinë dhe Finlandën në vazon e tretë, ndërsa në vazon e katërt pozicionohen Qipro, Estonia dhe Lituania.

Në bazë të shortit, ekipet do të ndahen në një grup me tre skuadra dhe tre grupe me nga katër. Katër fituesit e grupeve do të fitojnë të drejtën të ngjiten në Divizionin B në edicionin e vitit 2020, ndërsa katër ekipet e vendeve të fundit zbresin në Divizionin D.

Skema e turneut të ri parashikon gjithashtu që në rast se katër skuadrat fituese të grupeve nuk arrijnë të sigurojnë një vend në Europianin 2020 nëpërmjet kualifikueseve, ato do të luajnë shansin në ndeshjet “play-off” ku në lojë është një “biletë” drejt evenimentit.

Sipas kalendarit të UEFA-s, ndeshjet e javës së parë në grupe luhen nga data 6 deri më 8 Shtator 2018, ndërsa sfidat do të mbyllen në harkun e tre muajve, me ndeshjet e javës së gjashtë që do të luhen nga data 18 deri më 20 Nëntor 2018. Grupet me nga tre skuadra do të luajnë vetëm 4 nga gjashtë datat e përcaktuara.

Për sa i takon Kosovës, ecuria larg pritshmërive ka bërë që përfaqësuesja më e re në botë në kualifikueset e Botërorit, ku morën vetëm një pikë, është shoqëruar me pozicionimin në vazon e fundit të Divizionit D. Kosova lë mbrapa vetëm San Marinon dhe Gjibraltarin, ndërsa kundërshtarët më të rrezikshëm me të cilët mund të përballet do të jenë Azerbajxhani, Maqedonia, Bjellorusia dhe Gjeorgjia në vazon e parë dhe Armeni e Letonia në vazon e dytë.

Përsa i takon ekipeve më të mëdha europiane, në Divizionin A të Ligës së Kombeve, 12 skuadra janë ndarë në tre vazo, ku Gjermania, Portugalia, Belgjika dhe Spanja janë koka-serie. Italia pozicionohet në vazon e dytë përkrah Francës, Anglisë dhe Zvicrës, ndërsa befasia e momenteve të fundit ishte ngjitja e Holandës, që i rrëmbeu vendin Uellsit në vazon e tretë të divizionit elitar. Spektakli do të jetë i garantuar me përballje të mëdha në katër grupe me nga tre skuadra, ndërsa fitueset e secilit grup do të luajnë për të fituar trofeun e Ligës së Kombeve me finalen që do të zhvillohet në Qershor të vitit 2019.

Mjaft interesant do të jetë edhe Divizioni B, në të cilin luajnë skuadra me peshë si Austria, Uellsi, Suedia apo Ukraina, Bosnja, Danimarka e Turqia. Edhe në Divizionet A dhe B, fitueset e grupeve që nuk do të arrijnë të sigurojnë kualifikimin në Euro 2020 do të kenë shansin të sigurojnë një vend në fazën finale të turneut.

Liga e Kombeve

Divizioni A

Vazo 1

Gjermani

Portugali

Belgjikë

Spanjë

 

Vazo 2

Francë

Angli

Zvicër

Itali

 

Vazo 3

Poloni

Islandë

Kroaci

Holandë

 

Liga e Kombeve

Divizioni B

 

Vazo 1

Austri

Uells

Rusi

Sllovaki

 

Vazo 2

Suedi

Ukrainë

Rep. Irlandës

Bosnje Hercegovinë

 

Vazo 3

Irlandë e Veriut

Danimarkë

Republika Çeke

Turqi

 

Liga e Kombeve

Divizioni C

 

Vazo 1

Hungari

Rumani

Skoci

Slloveni

 

Vazo 2

Greqi

Serbi

SHQIPËRI

Norvegji

 

Vazo 3

Mali i Zi

Izrael

Bullgari

Finlandë

 

Vazo 4

Qipro

Estoni

Lituani

 

Liga e Kombeve

Datat

Java I          6–8 Shtator 2018

Java II         9–11 Shtator 2018

Java III        11–13 Tetor 2018

Java IV        14–16 Tetor 2018

Java V         15–17 Nëntor 2018

Java VI        18–20 Nëntor 2018

 

 

Liga e Kombeve

Divizioni D

 

Vazo 1

Azerbajxhan

Maqedoni

Bjellorusi

Gjeorgji

 

Vazo 2

Armeni

Letoni

Ishujt Faroe

Luksemburg

 

Vazo 3

Kazakistan

Moldavi

Lihtenshtejn

Malta

 

Vazo 4

Andorrë

KOSOVA

San Marino

Gjibraltar

Komentoni