Lajme

Shqipëria “ia djeg” Kosovës edhe dy lojtarë

Edhe dy talente kosovare priten të humbin shpejt të drejtën që në të ardhmen të luajnë për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Liridon Latifi i Skënderbeut dhe Eros Grezda i Lokomotivës së Zagrebit janë ftuar në Kombëtaren e Shqipërisë për dy ndeshjet e ardhshme, shkruan sot Koha Ditore.

Në fakt përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni de Biasi, ende nuk ka publikuar listën me emrat e futbollistëve të ftuar, por të premten klubi kroat Lokomotiva ka konfirmuar se tashmë Grezdës i ka shkuar ftesa që të bashkohet me kombëtaren A. Është bërë e ditur se ftesa ka shkuar edhe për Latifin, ndonëse të dy lojtarët kanë thënë se do të flasin vetëm pasi që De Biasi të bëjë publike komplet listën.

Shqipëria javën tjetër i luan dy ndeshje në kuadër të eliminatoreve për botërorin “Rusia 2018”. Më 6 tetor luan në udhëtim me Lihtenshtajnin, ndërsa më 9 tetor në Shkodër e pret Spanjën. Shqipëria ka nisur mirë eliminatoret – me fitore 2:1 ndaj Maqedonisë, ndërsa llogarit në tri pikë edhe ndaj Lihtenshtajnit dhe shpreson në befasi ndaj Spanjës. Pikërisht ndaj Lihtenshtajnit shihet mundësia që të debutojnë dy kosovarët e rinj, të cilët më pas nuk do të mund të luajnë për Kosovën.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*