Kosova

Shqipëria e Kosova vende transite të trafikut të heroinës

Shqipëria e Kosova vazhdojnë të mbeten si vende transit të trafikut të heroinës me destinacion Italinë e Greqinë. Raporti i fundit i Qendrës Evropiane të Drogave dhe varësisë ndaj tyre i konsideron të tilla dy vendet edhe për shkak të pozicionit gjeografik.

Në analizën e bërë për vitin 2017 që përmban të dhëna që prej vitit 2012, rrugët kryesore që përdoren në trafikun e heroinës janë Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri dhe Turqi-Bullgari-Maqedoni-Kosovë-Shqipëri. Heroina transportohet nga Shqipëria me kamionë, autobusë, autovetura etj. dhe destinacionet kryesore të saj janë Italia dhe Greqia, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndërkohë pas operacionit “Smoke Snake” të Policisë financiare të Kazertës në provincën e Napolit ka çuar në shkatërrimin e një bande të trafikut ndërkombëtar të drogës me destinacion Italinë. Tre shqiptarë janë mes 21 personave të arrestuar të hënën në Itali si pjesë e një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikun e marihuanës dhe heroinës.

Operacioni “Smoke Snake” i kurorëzuar të hënën ka vërtetuar linjat e trafikut të heroinës të identifikuara nga Qendra Evropiane e Drogave nga Turqia drejt Shqipërisë, e më pas në Itali, si dhe trafikun e heroinës nga Holanda në Shqipëri e më pas drejt Italisë.

Komentoni