Lajme

Shqipëri: Bllokohen sasi të mëdha marijuane

Policia e Vlorës tha se sekuestroi rreth 1,3 tonë marijuanë në Gjirin e Bristanit afër Karaburunit. Operacioni u krye në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Repartet “Delta Force” dhe forcat italiane të “Guardia di Finanzia”.

Sipas burimeve zyrtare policore lënda narkotike u gjet në afërsi të bregut të detit, e paketuar në 47 çanta, të fshehura në 3 vende të ndryshme në zonën pyjore. Lënda narkotike pritej të transportohej drejt Italisë përmes hapësirës detare.

Operacione ndaj narkotikëve janë njoftuar dhe nga polica greke ku rreth 200 kilogramë marijuanë me prejardhje nga Shqipëria janë bllokuar në zonën e Janinës dhe të Igumenicës. Policia greke tha se krahas shtetasve grekë janë arrestuar edhe dy shtetas shqiptarë.

Trafiku i lëndëve narkotike nga Shqipëria po vijon me intensitet drejt Italisë dhe Greqisë. Policia kufitare shqiptare ka pak forca dhe mjete për të kontrolluar kufirin tokësor dhe hapësirën detare. Një ditë më parë përmes programit “EXBS”

Qeveria amerikane i dhuroi Policisë Kufitare shqiptare pajisje për kontrollin e kufirit në një vlerë prej 155 mijë dollarë. Pajisjet e dhuruara përfshijnë automjete me kalueshmëri të lartë, kamera termike, pajisje të tjera kontrolluese dhe vëzhguese, etj.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*