Lajme

Shpend Ahmeti i ashpër, ja si ju bërtet banorëve të Dardanisë që i shkuan të shtëpia

Dhjetëra banorë të larguar nga ndërtesat në lagjen Dardania, kryesisht gra me fëmijë, mbrëmë ia “kanë zënë derën” kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Rreth 40 gra, së bashku me fëmijët e tyre, i kanë shkuar Ahmetit, të martën rreth orës 20, te shtëpia e tij në lagjen NIC, duke kërkuar nga ai sqarime lidhur me largimin e tyre nga banesat në Dardani.Në një audio-incizim të cilin e ka siguruar Ekonomia Online, dëgjohet se ka pasur biseda të tensionuara e me tone të ngritura ndërmjet protestuesve dhe kreut të Komunës.

Mes tjerash, Ahmeti përmend me emër kryetarin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të cilin e fajëson se i ka gënjyer banorët. “Hamdi Ibrahimi po ju rren”, ka thënë Ahmeti.

“Ngomni mirë çka po ju them, në qato banesa nuk keni me ndejt… Unë i kam 300 mijë banorë”.“Qe dy vjet po j them aman hajdeni të bëjmë zgjidhje se kanë me ju qit”, vazhdon ai.“Qysh po më bërtet”, i drejtohet një grua. “Qysh të doket me t’i bërtit dikush gruas tande”.“Mos më hajdeni te shtëpia… Mos hajdeni këtu me rrena të Hamdi Ibrahimit”, thotë Ahmeti, dukshëm i shqetësuar nga vizita.Më 19 dhe 26 shtator, Policia e Kosovës ka zbatuar një urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke larguar 12 familje nga banesat në lagjen “Dardania”, që sipas gjykatës i takojnë Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë. Në ditët në vazhdim pritet që të dëbohen edhe familjet e tjera. Janë gjithsej 131 banesa në këtë bllok, i cili ishte ndërtuar në vitet 1990-të dhe ishte dedikuar për refugjatët serbë nga Bosnja. Pas përfundimit të luftës, në banesat ende të papërfunduar janë vendosur familje shqiptare. Me një vendim të gjykatës, të marrë në vitin 2008, banesat i takojnë Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).Banorët e fajësojnë kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti, i cili sipas tyre po kërkon ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për largim. Ahmeti thotë se nuk mund të ndikojë në vendimet gjyqësore. Ndërkohë, që ai ka premtuar se do të bëhet zgjidhje për strehim vetëm për familjet që janë raste sociale.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*