Fotogaleri

Shkupi në dy pamje: Një e rregulluar, tjetra e lënë pasdore

Qytetarët që jetojnë në anën e majtë të lumit Vardar, Seravë, Gazibabë, Dizhon – lagje këto të banuara me shumicë shqiptare, thonë se ballafaqohen me probleme të shumta infrastrukturore. Ndërkohë, projekti “Shkupi 2014” edhe më tej vazhdon të thithë miliona euro nga buxheti i shtetit edhe në planet për vitin 2017.

“Nga ana tjetër e Vardarit ju e shihni vetë jetën si është dhe shiheni këtu, mungojnë shumë gjëra këtu. Nuk janë investuar as 100 denarë për shumë vjet edhe pse Gazibaba është zemra e Shkupit, lagja më e vjetër e qytetit të Shkupit. Nuk ka kush na ndihmon përpos Zotit. Asnjë shpresë më s`e kemi te pushtetarët as ata komunalë, as ata të pushtetit qendror, krejt për vete mendojnë”, thotë Ali Xhaferi nga lagja e Gazibabës, e cila është menjëherë në anën e majtë të lumit Vardar, e që me ndarjen territoriale i përket komunës së Gazibabës, që është pjesë e kryeqytetit të Maqedonisë dhe udhëhiqet nga kryetari maqedonas.

Edhe Mehmet Emini nga lagja e Gazibabës pohon se dora e shtetit, sa i përket investimeve, nuk është ndjerë, siç shprehet ai, nga koha e Titos.

“As rrugë, asgjë s`kemi, infrastruktura në lagjen tonë është zero. Nuk mund ta mbaj mend kur është investuar herën e fundit! Që në kohën e Titos. Veçanërisht në këtë lagje këtu, që nga koha kur ishte gjallë tani e këndej s`ka investime. Tash me ndarjen e re komunale si ka ardhur ky prefekti maqedonas, vetëm shkatërrime shohim, jo investime. Ja e patë rrugën kur erdhët është hapur tashmë 6 muaj dhe e kanë lënë ashtu”, thotë Mehmet Emini.

Përderisa banorët e lagjes së Seravës, e cila është më pak se 500 metra larg objekteve të shumta milionëshe të “Shkupi 2014”, thonë se objektet shumëkatëshe që ndërtohen në këtë lagje edhe ashtu të stërngarkuar, bllokojnë rrjetin e kanalizimit i cili edhe ashtu është shumë i vjetër dhe nuk ka kapacitet për të përballuar ujërat e zeza. Andaj edhe të reshurat më të vogla të shiut te një pjesë e madhe e shtëpive në këtë lagje, shkaktojnë përmbytje.

“Unë jam banor i Seravës, kur kishte shi herën e fundit, më hyri uji në shtëpi i cili ujë doli nga kanalizimi. Unë me pompë dhe fqinjët e mi me kova më ndihmuan dhe mezi se shpëtuam pjesën tjetër të shtëpisë. Shumë gjëra tjera na mungojnë, përpos rrjetit të kanalizimit, rrugët janë për askund,… mungon gjelbërimi, kurse ja para syve na del një ndërtesë derisa fëmijët mbyten në pluhur”, thotë një banor i lagjes.

Lagjja Seravë e Shkupit është pjesë e Komunës së Çairit, e cila udhëhiqet nga shqiptarët.

Edhe Sadik Sadiku, pensionist, nga kjo lagje, thotë se në mes të Shkupit rrugët e groposura ia bëjnë të vështirë ecjen, sepse nuk mund t’i shmangë të gjitha gropat për të mos u rrëzuar:

“Unë jam plak, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ec, ama si të ecësh nëpër gropa?! Gjithmonë ka vërshime në rrugë, uji nuk hiqet nga sokakët e kësaj lagje”.

Autoritet komunale thonë se këto lagje janë me ndërtime të egra dhe vështirë arrijnë të bëhen sanime, qoftë të rrjetit të kanalizimit ose ujit dhe rrjetit elektrik. Madje ato thonë se projektet kapitale varen nga buxheti i shtetit, duke drejtuar gishtin kah pushteti qendror.

Ndërkohë, në Parlamentin e Maqedonisë gjatë javës që e lamë pas po edhe kësaj që vjen, do të vazhdojë të zhvillohet debati për buxhetin 2017. Deputetët e opozitës shqiptare kanë fajësuar partinë në pushtet se është vënë në krah të politikave nacionaliste të VMRO DMNE-së, të udhëhequr nga Nikolla Gruevski, duke derdhur miliona në komunat maqedonase për projekte luksoze, ndërkohë që në vendbanimet shqiptare qytetarët përballen me mungesën e gjërave elementar për jetesë.

Në bazë të analizave të ekspertëve, 97për qind e mjeteve nga buxheti i shtetit për vitin 2017 kështu siç është projektuar, shkojnë për projekte mono-etnike maqedonase dhe në vendbanimet maqedonase, kurse vetëm 3 për qind shkon te shqiptarët”, ka deklaruar deputeti Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë Ernad Fejzullahu .

Me këtë qëndrim nuk pajtohet partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila ka mbrojtur qëndrimin se buxheti i shtetit është ndarë dhe do të vazhdojë të ndahet në formë proporcionale.

Deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili, është zotuar se ndarja e bllok- donacioneve nëpër komunat shqiptare, arrin diku në 27 për qind të mjeteve të përgjithshme.

“Propozim – buxheti është i balancuar dhe proporcional. Proporcioni i buxhetit parashihet te bllok-donacionet, kurse sa i përket balancimit është tek investimet kapitale përfshirë tërë territorin e Maqedonisë”, ka theksuar Ismaili.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se në Maqedoni mjetet nga buxheti i shtetit, pavarësisht se cila parti shqiptare është në pushtet, me vite anashkalojnë investimet në zonat shqiptare edhe atë jo vetëm në Shkup, si kryeqendër e Maqedonisë, por në tërë territorin e vendit.

“Gjithmonë kemi të bëjmë me hartimin e një buxheti politik, kemi të bëjmë me një disproporcion të ndarjes së mjeteve nga buxheti i shtetit në bazë të rajoneve dhe në bazë të interesave të subjekteve politike. Nuk duhet harruar se çdo buxhet i përvitshëm nuk është në interes të qytetarëve shqiptarë, sepse të gjitha investimet ndodhin nga kryeqendra e Maqedonisë, që përfshin projektin ‘Shkupi 2014’, duke shkuar në pjesën lindorë të Maqedonisë dhe shumë më pak destinohen mjete në Maqedoninë veriperëndimore”, thotë për radion Evropa e Lirë, Arben Halili, ekspert i ekonomisë.

Nga arka e shtetit të Maqedonisë, edhe gjatë vitit 2017 parashihen shpenzime rreth projektit “Shkupi 2014”,përkatësisht 2,1 milionë euro parashihen për rindërtimin dhe mbindërtimin e ndërtesës së Ministrisë së Transportit dhe lidhjeve.

Krahas objekteve të projektit “Shkupi 2014” gjatë vitit të ardhshëm nga arka e shtetit, në bazë të propozim-buxhetit parashihet të shpenzohen 733 mijë euro për rindërtimin e ndërtesave të organeve qeveritare dhe 12,3 milionë euro për ndërtesa administrative të organeve shtetërore.

Ndërkohë, për projektin “Sheshi Skënderbeu” që është në anën e majtë lumit Vardar, në propozim-buxhetin për vitin 2017 janë paraparë rreth 3,4 milionë euro si pjesë e projektit “Shkupi 2014”, i cili sipas paralajmërimeve, duhej të kishte përfunduar para dy vjetësh. Por, për shkak të mjeteve financiare, ndërtimet po zvarriten. /rel/

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Komentoni