Kosova

Shkollat, probleme me zbatimin e kurrikulës së re

Zbatimi i kurrikulës së re mësimore, që ka nisur të zbatohet nga shtatori i këtij viti, po përballet me shumë vështirësi në implementimin e saj në shumë shkolla të vendit. Sipas mësimdhënësve po edhe njohësve të kësaj fushe, problemin më të madh në zbatimin e saj po paraqesin tekstet e vjetra, të cilat nuk po përshtaten me kurrikulën e re.

Shumë nxënës, po edhe mësimdhënës po përballen me vështirësi të mëdha gjatë përdorimit të teksteve, të cilat nuk janë në përputhje me kurrikulën e re. Njëra ndër to është edhe Shkolla fillore e mesme e ulët ”Faik Konica“ në Prishtinë.

Mësuesja Sheribane Bahtiri tha për Radio Kosovën se zbatimi i kurrikulës se re në mungesë të teksteve adekuate po u sjell probleme të shumta në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

“ Po na bien në disbalancë krahasuar me tekstet e vjetra që janë tash me kurrikulën e re. Është e vërtetë që tekstet i kemi të vjetra tash e dymbëdhjetë vjet, por mund të them që është një punë e menduar jo mirë përshtatur me rrethanat e tona. Tash, përgjegjësitë i takojnë Ministrisë së Arsimit, vështirësitë bien mbi ne si mësimdhënës dhe hutimi është te fëmijët”, tha Bahtiri.

Zëvendës-ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Valmir Gashi, theksoi se ministria është në dijeni për problemet që po sjellin tekstet e vjetra. Sipas tij, ministria ka filluar të punojë përmes një grupi punues që do të verifikojë se cilat janë ato tekste që po paraqesin problem.

“ Është e vërtetë. Jemi në dijeni të plotë për problemet që janë duke u shfaq me tekste shkollore. Në lidhje me këtë, ministria ka ngritur një grup, i cili është duke mbledhur të dhënat me të gjitha problemet që janë në lidhje me tekstet, dhe pastaj shumë shpejt do të fillojë procesi i rishikimit të tyre. Ne jemi në fazën e grumbullimit të të dhënave se cilat janë ato probleme”, tha Gashi.

Pas rishikimit të teksteve nga ana e grupit punues, që ka formuar Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, pritet që në një të ardhme të afërt nxënësit, po edhe mësimdhënësit të mos kenë probleme në përdorimin e tyre.

Komentoni