Lajme

Shkarkohet udhëheqësja ekzekutive e Këshillit për Trashëgimi Kulturore

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka shkarkuar nga detyra e udhëheqëses ekzekutive, Xhejlane Hoxhën, pasi dyshohet se njëjta ka bërë shumë shkelje ligjore, përfshirë edhe keqpërdorimin e buxhetit. Shkarkimi i saj është bërë pasi RTK-ja ka raportuar për dyshimet që ndërlidhen me keqpërdorim të detyrës. Vetë Hoxha e mohon këtë duke deklaruar se do të ndjekë rrugët ligjore, ndonëse ndryshe mendon kryetari i këshillit, Shafi Gashi.

Një vit pasi RTK-ja raportoi për shkeljet dhe mos funksionimin si duhet të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, e sidomos për keqpërdorime të buxhetit, Bordi i Këshillit mori vendim që Xhejlane Hoxhës , udhëheqëse ekzekutive të këtij Këshilli, t`i ndërpritet marrëdhënia e punës. Kryetari I këshillit, Shafi Gashi, tha se në këtë institucion janë gjetur shumë parregullsi.

Kryetari Gashi deklaron se auditori dhe Këshilli i pavarur mbikëqyrës për shërbyesit civil kanë vërejtur se mandati i zonjës Hoxha ka qenë jo ligjor. Sipas tij, Bordi ka kryer vetëm një obligim ligjor dhe se ata po bëjnë përpjekje që ky institucion ta marrë vetën dhe t`i kryejë obligimet të cilat i ka me ligj.
Nga ana tjetër, e larguara nga puna, Xhejlane Hoxha, nuk deshi të flasë para kamerës, por në një takim me RTK-në, pretendon se vendimi është i kundërligjshëm dhe arbitrar. Ajo tha se do t`i shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar drejtësinë.

Por një vit më parë, RTK-ja përmes dokumenteve të siguruara, raportoi se si ishte emëruar Hoxha në detyrë.

Në Raportin e Auditorit Gjeneral të vitit 2015 shkruan se Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, përgjatë tërë vitit kishte paguar punonjësit për punë shtesë jashtë orarit të rregullt të punës. Por, puna jashtë orarit ishte shfrytëzuar në lartësinë maksimale të lejuar dhe jo vetëm në rastet e nevojshme siç specifikohet me ligj. Ndërkohë, auditori ka vërejtur se nevoja për këto punë është arsyetuar dobët dhe puna jashtë orarit nuk ishte e aprovuar paraprakisht nga mbikëqyrësit e drejtpërdrejtë. Pagesat totale për punë jashtë orarit ishin 9,090€.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*