Kosova

Sherifi, Kurtit: Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë çështje të hapura

Deklarata e deputetit edhe ish- liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti se demarkacioni me Malin e Zi mund të prodhojë luftë në pjesën kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, nga kolegë të tij opozitar nuk po shihet si e tillë.

Sipas tyre Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë asnjë çështje të hapur dhe se nuk mund të ndodhë një konflikt nëse marrëveshja votohet nga të zgjedhurit e popullit.

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, i pyetur nga lajmi.net për deklaratën e Kurtit ka thënë se Kosova dhe Mali Zi, kanë njohur njëra tjetrën si shtete dhe nuk kanë asnjë çështje të hapur.

Madje ai ka vlerësuar se të dy shtetet kanë marrëdhënie të mira.

“Kosova dhe Mali i Zi janë shtete fqinje të cilat edhe e kanë njohur reciprokisht njëra tjetrën dhe kanë marrëdhënie të mira. Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë asnjë çështje të hapur me njëra tjetrën,  nuk kanë pretendime territoriale ndaj njëra tjetrës dhe as të ndonjë natyre tjetër. Kështu që të dy palët duhet të vazhdojnë t’i kultivojnë këto marrëdhënie të mira”, ka thënë Sherifi, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se versionit aktual i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi,  nuk është problem mes Kosovës dhe Malit të Zi, por mes qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës prandaj edhe duhet të trajtohet si i tillë.

“Së pari ne duhet të bëjmë çmos që të mos e lejojmë ratifikimin e këtij versioni të marrëveshjes pa u hequr të gjitha dilemat që janë ngritur deri më tani nga opozita, ekspertët dhe qytetarët e Kosovës dhe pa u siguruar 100% se vija kufitare është aty ku ka qenë gjithmonë.  Zakonisht, për një shtet të ri, shënimi i kufijve me shtetet fqinje do të duhej të ishte arsye për festë, te ne, për shkak të kësaj marrëveshje të gabuar dhe të dëmshme kemi një situatë të tensionuar politike me mundësi të përkeqësimit edhe të gjendjes së sigurisë”, ka thënë Sherifi.

Deklarata e Kurtit është komentuar edhe nga anëtari i kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, cili ka thënë se Kurti më këtë po nxitë deputetët që ta votojnë marrëveshjen.

Albin Kurti të martën në një tubim në Tiranë, ka deklaruar së është kundër një lufte me Malin e Zi, por, konsideron se Demarkacioni bën konfliktin, luftën dhe gjakderdhjet e reja me shtetin malazez.

Ai sqaroi se lufta ndodh ku është kontesti kufitar e territorial.

Komentoni