KosovaToplajm

Shënohet Dita Ndërkombëtare e të moshuarve

Me moton: “Merr qëndrim kundër përbuzjes ndaj të moshuarve”, sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar, ku edhe u bë prezantimi i dokumentit të OBSh-së “Strategjia dhe Plani i Veprimit për Moshim të Shëndetshëm në Evropë, 2012 – 2020” dhe i broshurës “Fakte: Keqkuptimet rreth moshimit dhe shëndetit”, i publikuar nga IKShPK.

Duke vlerësuar se prezantimi i fushave strategjike dhe objektivat e OBSh-së të vendosura në këtë Strategji dhe plan veprimi janë udhërrëfyes i mirë dhe i domosdoshëm për Ministrinë e Shëndetësisë në adresimin dhe hartimin e politikave adekuate dhe të nevojshme në lidhje me moshimin e shëndetshëm në Kosovë, Ministri Imet Rrahmani tha se krijimi i mundësive që sa më shumë njerëz ta kenë jetën aktive dhe të shëndetshme në moshën e shtyrë kërkon investime në një gamë të gjerë të politikave për moshim të shëndetshëm nga parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve jo të transmetueshme përgjatë gjithë jetës deri te forcimi i sistemeve shëndetësore në mënyrë që të rritet qasja e personave të moshuar në shërbimet sociale de shëndetësore të përballueshme dhe të cilësisë së lartë. 

“Në këtë aspekt, ekziston nevoja për veprim ndër-sektorial dhe gjithë shoqëror”, tha Ministri Rrahmani. Ndër të tjera, theksoi ai, MSh është në përpjekje të vazhduar të realizimit të proceseve reformuese dhe në vazhdën ë këtyre proceseve, viti 2017 do të jetë viti i fillimit të implementimit të sigurimeve shëndetësore. Me çka do të përmirësohet edhe përgjigja ndaj kërkesave të shtuara të qytetarëve për shërbime shëndetësore më cilësore, përmirësimi i financimit shëndetësor, etj. 

Drejtori ekzekutiv i IKShP-së, Naser Ramadani, tha se shënimi i kësaj dite është një moment i rëndësishëm për të ngritur nevojën dhe sensibilizuar për kontributet e rëndësishëm që të moshuarit japin për botën tonë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e moshimit dhe sfidat e vazhdueshme më të cilët përballen njerëzit e moshuar, duke njohur edhe faktin se trendi i moshimit është në rritje në shumicën e vendeve të botës dhe gjithashtu edhe në Kosovë. 

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSh-së në Kosovë tha se Strategjia do të arrihet përmes përqendrimit në pesë objektiva strategjik:. Zotimin për veprim; Përshtatjen e sistemit shëndetësor me nevojat e popullatës së moshuar; Zhvillimin e mjediseve miqësore për të moshuarit; Fuqizimin e kujdesit afatgjatë dhe Përmirësimin e monitorimit, hulumtimit dhe evaluimi.

“Përkujdesja për moshim të shëndetshëm kërkon lidership dhe përkushtim. Për t’u siguruar që ekziston platforma politike dhe operative për veprim multi-sektorial, nevojitet bashkëpunim ndërmjet aktorëve qeveritarë dhe jo-qeveritarë, përfshirë ofruesit e shërbimeve, projektuesit dhe akademikët”, tha ai duke shtuar se veprimet kyçe përfshijnë: Krijimin e kornizave kombëtare kah moshimi i shëndetshëm; Fuqizimi i kapaciteteve kombëtare për krijimin e politikave të mbështetura në dëshmi dhe luftimin e përbuzjes së të moshuarve. 

Rabije Slivova, udhëheqëse e OJQ-së Vita-Jeta tha se roli kryesor i shoqatës që numëron rreth 1100 anëtare të moshuara është të fuqizojë, emancipojë dhe sensibilizojë për përfshirjen e grave të moshuara në kujdesin sociale e shëndetësor, realizimin e të drejtave të tyre për pensione, trashëgimi dhe të drejta të tjera. 

Kurse, Shaban Kajtazi, Kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, duke vlerësuar angazhimin e Ministrit Rrahmani dhe MSh-së për reforma dhe përkujdes më të mirë shëndetësor për këtë kategori, tha se mosha e tretë ballafaqohet më shumë sfida, ndërkohë që kërkoi shumë më tepër vëmendje nga shoqëria kosovare për kujdes prindëror, duke theksuar kontributin e pamohuar që mosha e tretë ka dhënë në periudhën midis Luftës së II Botërore dhe luftës së UÇK-së në zhdukjen e analfabetizmit dhe ngritjen e shoqërisë kosovare. 

Publikimi Fakte: Keqkuptimet rreth moshimit dhe shëndetit ndërkaq, u prezantua nga dr. Naim Jerliu nga Qendra mbi Moshimin e IKShP-së dhe është realizuar me përkrahjen e OBSh-së dhe financuar nga Qeveria e Luksemburgut.

Në mënyrë simbolike si shenjë e përkrahjes për ta, të moshuarit që morën pjesë në shënimin e kësaj dite u vaksinuan kundër gripit sezonal në IKShP. Me vaksinat e siguruara nga MSh, përmes planit të vaksinimit të hartuar nga Instituti. /KI/

Komentoni