Lajme

Shënohet Dita Botërore e Shëndetit Mendor

Organizata Botërore e Shëndetësisë me seli në Kosovë e ka shënuar Ditën Botërore të Shëndetit Mendor. Aktualisht trajtimi i këtyre të sëmurëve bëhet në spitale dhe qendra rehabilituese. Por në këtë takim nuk ishin ministri Imet Rrahmani, dhe zyrtarë tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Shefi i zyrës së OBSh-së në Prishtinë, Skënder Syla, tha se ruajtja dhe përparimi i shëndetit mendor mund të bëhet përmes ngritjes së vazhdueshme të cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

“Shëndeti mendor ka të bëjë me një gamë të gjerë aktivitetesh të ndërlidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me komponentin apo mirëqenies mendore të përfshirë me përkufizim e njohur mirë të OBSh-së për shëndetin se gjendja e mirëqenies së plotë fizike mendore dhe sociale dhe jo vetëm mungesë e thjeshtë e sëmundjes. Kjo ka të bëjë me promovimin e shëndetit mendor, parandalimin e çrregullimeve mendore dhe trajtimin e rehabilitimit të njerëzve të prekur nga çrregullimet mendore”, tha Syla.

Me rastin e shënimit të kësaj dite u bënë edhe dy prezantime nga mjekët Shaban Mecinaj dhe Besnik Stuja me temë: “Arritjet dhe Sfidat e Shërbimeve të shëndetit mendor me bazë në komunitet në Kosovë” si dhe “Ndihma e parë psikologjike” nga Fitim Uka.

Përndryshe, takimi i sotëm është vazhdimësi e përpjekjeve të zyrës së OBSh-së në Prishtinë për ndërgjegjësimin e përgjithshëm në lidhje me problemet e shëndetit mendor, domosdoshmërinë e promovimit të shëndetit të mirë mendor, dobinë e parandalimit dhe trajtimit të hershëm të problemeve të kësaj natyre dhe përfitimin shëndetësorë dhe ekonomik nga një qasje e tillë proaktive. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*