Lajme

ShBA: Irani po respekton marrëveshjen bërthamore

Administrata e presidentit të ShBA-së, Donald Trump, ka siguruar se Irani është duke vepruar në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe do të vazhdojë lehtësimin e sanksioneve për këtë pakt, mirëpo do të vazhdojë të sanksionojë Iranin për raketat balistike.

Kjo është hera e dytë që kjo administratë, prej kur presidenti Trump nisi udhëheqjen e ShBA-së, vërtetoi se marrëveshja është duke u respektuar.

Presidenti Trump pati premtuar gjatë fushatës së tij presidenciale se do të prishte atë që ai e konsideronte, “marrëveshjen më të keqe të bërë ndonjëherë”.

Sidoqoftë, administrata Trump e ka kritikuar Teheranin për shkelje “ të shpirtit” të marrëveshjes, pasi Irani po vazhdon avancimin e programit të raketave balistike dhe anijeve të shpejta, çështje që mund të ndëshkohen me sanksione të reja.

Administrata e Trumpit ka përmendur edhe shqetësimin që vjen rreth abuzimit të të drejtave të njeriut në Iran dhe mbështetjen e terrorizmit kundër Izraelit.

“Irani vazhdon të jetë njëri nga kërcënimet më të rrezikshme për interesat e ShBA-së dhe stabilitetit rajonal”, ka thënë një zyrtarë i lartë i ShBA-së.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka thënë se Irani është konfuz me deklaratat e fundit të ShBA-së.

“Jemi duke pranuar sinjale kontradiktore dhe nuk e dimë se si duhet t’i interpretojmë”, ka thënë Zarif, duke shtuar se “Irani është shumë serioz në marrëveshjen e armëve bërthamore”.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*